BDI kërkon dorëheqjen e Taravarit dhe Memedit: Mospërgjegjësia e tyre po kushton me jetë të fëmijëve tanë
Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravarit dhe drejtorit të Klinikës për Fëmijë, Rexhep Memedi, përcjell TV21. BDI tha se, vdekja e një fëmije tjetër në Klinikë është një tjetër tragjedi dhe shtoi se, mospergjegjësia e ministrit dhe drejtorit po kushton me jetë të fëmijëve.
“Vdekja e një tjetër fëmije të pafajshëm në Klinikën Universitare për Fëmijë është një tragjedi që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.
Kjo është hera e pestë që dëgjojmë për humbjen e një jete të re, brenda dy muajve ndërsa sistemi shëndetësor është lënë në autopilot dhe ministri i Shëndetësisë merret me agjenda të partisë.
Nga një intervistë në tjetrën, ministri është më shumë në lojra partiake se në ministri, ndërsa më të dashurit tanë po paguajnë çmimin e paaftësisë dhe neglizhencës.
Kjo ka kaluar çdo kufi të humanes dhe të pranueshmes.
Në emër të përgjegjësisë ndaj qytetarëve, kërkojmë menjëherë dorëheqjen e drejtorit të Klinikës dhe ministrit të Shëndetësisë.
Mospërgjegjësia dhe paaftësia e paprecedentë po kushtojnë jetë të fëmijëve tanë më të dashur. Ky është një alarm që nuk mund të injorohet më”, thotë BDI.