Maqedoni

BDI-ja hesht për akuzat ndaj Grubit

Nga BDI-ja deri tani nuk janë prononcuar dhe nuk deklaruar asnjë qëndrim politik rreth aktiviteteve të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Prokurorisë rreth ish zv.kryeministrit të parë Artan Grubi dhe ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami. Shtëpitë e tyre u bastisën një ditë më parë. Grubi është akoma në Kosovë, pasi dy ditë më parë e lëshoi vendin, siç tha, për angazhime private kurse sipas kryeministrit, Bajrami është për një kohë më të gjatë në Kosovë. Grubi paraprakisht kishte njoftuar tërheqjen nga jeta publike pas shpalljes së tij në listën e zezë amerikane për korrupsion, për shpëtimin e Sasho Mijallkovit nga drejtësia.

Ndërkohë, kreu i BDI-së Ali Ahmeti sot qëndron në Prishtinë, i shoqëruar nga Sekretari i përgjithshëm i partisë Faton Ahmeti. Në një foto të publikuar në rrjetet sociale, Ahmeti shihet i shoqëruar nga miku i tij Ismet Sulejmani. Ahmetit gjatë qëndrimit në Prishtinë do t’i ndahet një çmim.

Megjithatë, është akoma e paqartë nëse ai në Prishtinë do të takojë ish shefin e tij të kabinetit, Grubin. /Alsat.mk