BDI-ja dhe VLEN u përplasën sot në Parlament për Likovën (Video)
Pas dy dekadave në pushtet, BDI kujtohet tani në opozitë që të propozojë rindërtimin e rrugës lokale Gllazhnje-Gushincë të Komunës së Likovës, shkruan Alsat.
Gjithsesi, ky amendament i Frontit Evropian nuk kaloi në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet, në debatin për rebalancin e buxhetit.
Në komisionin amë po diskutohet edhe për amendamente të tjera, debat i cili do të vazhdohet edhe nesër, ndërsa votimi në seancë plenare në Kuvend pritet të bëhet pas festës shtetërore të 2 gushtit.
“Në emër të Frontit Evropian parashtruam amendamentin me të cilin propozohet të sigurohen mjete prej 61,535,000 denarë (1 milion euro) për realizimin e projektit: rikonstruimin e rrugës rajonale Gllazhnje-Dumanovce-Gushincë”, tha Arbana Pasholli, Deputet e “Frontit Evropian”.
Nga përfaqësuesit e Qeverisë thanë se rehabilitimi i rrugëve lokale është në kompetencë të komunave, duke iu bërë thirrje komunave të aplikojnë në projektet e investimeve kapitale ku ekzekutivi do të ndajë mjete shtesë.
Deputeti i Likovës Rijad Shqairi tha se deputetët e Koalicionit VLEN do të jenë të përmbajtur. Debati u nxeh kur iu përmendi shumë projekte të parealizuara në Komunë e Likovës kur BDI ishte në pushtet.
“60% e shkollave fillore në Likovë akoma i kanë themelet e ish-mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, duke e ditur se zëvendësministrin e kanë pasur të tyrin. Në Likovë kemi dy penda dhe nuk kemi ujë. Në fshatin tim në Hotël, para 10 ditësh mbyllën projektin e vetëfinancimit për filtrimin e ujit të pijshëm për qytetarët që d.m.th. se shumica projekteve në atë komunë janë me vetëfinancim, kur ata kishin edhe ministrin e Financave Fatmir Besimin, por edhe kryeministrin teknik që mund t’i bënte shtysë politike për t’i realizuar”, theksoi Rijad Shqairi, Depuetet nga VLEN.
Për deputetët e shumicës parlamentare, rebalanci është për shpëtimin e shtetit sepse fondet në Buxhet janë planifikuar vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit dhe ka para për detyrime që duhet të paguajë shteti, ndërsa vlerësimi i opozitës është se rebalanci është bërë për të kënaqur negociatat e koalicionit dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë kursim, sepse të paktën 12 zyrtarë të rinj nga katër ministritë e reja duhet të paguhen nga Buxheti. / Alsat.mk
Video në Link: https://www.facebook.com/share/v/G4meiPhLzhkEGSfK/?mibextid=WC7FNe