BDI i reagon Mickoskit: Shqiptarët nuk do të qëndrojnë të heshtur
BDI përmes një reagimi theksoi se kryeministri Mickoski edhe një herë ka zgjedhur të ironizojë me shqetësimet legjitime të shqiptarëve, duke manipuluar reagimin tonë si të ishte i lidhur me veprimet e fundit të policisë.
“E vërteta është krejtësisht ndryshe dhe të gjithë e dinë se shqetësimet tona kanë të bëjnë me rrugën e rrezikshme që ka marrë qeveria. Veprimet e ministrit të Arsimit, ministrit të Administratës dhe kontrolli i Gjykatës Kushtetuese nga partia në pushtet pothuajse kanë gjymtuar Marrëveshjen e Ohrit”, thekson BDI.
Sipas tyre, kjo qasje përçarëse nuk është thjesht sulm ndaj shqiptarëve, por ndaj stabilitetit të vendit dhe vlerave të bashkëjetesës që kemi ndërtuar me shumë mund.
“Ftojmë kryeministrin të ndalojë manipulimet dhe të reflektojë mbi pasojat që këto politika të pamatura mund të kenë pasoja për të ardhmen e gjithë qytetarëve. Shqiptarët nuk do të qëndrojnë të heshtur përballë përpjekjeve për të degraduar Marrëveshjen e Ohrit dhe arritjet historike që ajo garanton”, thekson BDI.(INA)