Maqedoni

BDI dhe Kovaçevski të gatshëm të heqin dorë nga kryeministri i parë shqiptar, por me kushte ndaj VMRO-së

Bashkimi Demokratik për Integrim pranoi që të heqë dorë nga kryeministri i parë shqiptarë dhe në vend të tyre VMRO-DPMNE, të propozojë kryeministër. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në takim me gazetarët sot tha se ajo është e pranueshme, por me një kusht që kryeministri të jetë nënshkrues i ndryshimeve kushtetuese, njofton Portalb.mk.

“Qëndrim i BDI-së është përafërsisht i fuqishëm”, tha kryeministri duke shtuar se edhe ai është i gatshëm që ta lëshojë pozitën e kryeministrit nëse, ndonjëri prej VMRO-DPMNE-së do të bëhej propozues i ndryshimeve kushtetuese.

Nga Qeveria përsërisin se korniza negociuese në vete i përmban të gjitha kufijtë për identitetin maqedonas dhe për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare, ndërkaq prej nesh pritet vetëm që t’i miratojmë ndryshimet kushtetuese.

Gjatë takimit, me Mickoskin Kovaçevski i ka propozuar të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej qeveria, në të cilën nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM, 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Për Mickoskin kjo ishte e pranueshme, nëse BDI-ja nuk do të ishte brenda qeverisë. BDI-ja nëpërmjet një reagimi publik pranoi të dalë nga qeveria, nëse opozita i voton ndryshimet kushtetuese, edhe pse nuk është ende e qartë së nëse dalin nga qeveria, çfarë do të bëhet me premtimin kryesor të zgjedhjeve të kaluara – kryeministri i parë shqiptar, për të cilin me këmbëngulje kanë premtuar se do ta realizojnë.

Përveç kërkesave plastike, Mickoski kërkoi nga institucionet evropiane që të garantojnë identitetin maqedonas, të përgatisin një paketë ekonomike për qytetarët dhe bizneset maqedonase, si dhe garanci se Bullgaria do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.