Banorët e Zhelinës do të mund të fotografohen për pasaporta dhe letërnjoftime në komunën e tyre
Në Komunën e Zhelinës u hap zyrë e re për Shërbime Administrative të Ministrisë së Brendshme, shkruan TV21. Tash e tutje nga kjo zyrë qytetarët e kësaj ane do të mund të aplikojë për dokumentet personale, pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferi. Për të parë nga afër këtë shërbim të ri për zhelinasit, shkoi ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, i shoqëruar edhe nga kryetari i Tetovës Bilall Kasami si dhe ai i Zhelinës, Blerim Sejdiu. Ky i fundit u shpreh i lumtur për hapjen e kësaj zyre, për të cilën tha se e ka kërkuar që para 7 viteve.
“Për herë të parë në këtë komunë do të nxirren dokumentet personale, si pasaporta, letërnjoftimet dhe patentë shoferi. Kjo kërkesë, e kam patjetër ta përmend se daton që nga viti 2018 dhe prej atëherë, fatkeqësisht, kemi hasur në vesh të shurdhët dhe nuk kemi pasur realizim deri më sot, pra kaluan 7 vjet. Ky hap, kaq i rëndësishëm për banorët e komunës së Zhelinës, s’do mend se na gëzon të gjithëve”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i komunës së Zhelinës.