Maqedoni

Banorët e lagjes së Drenocit në Tetovë, blejnë ujë nga bashkëqytetarët e tyre

Banorët e pjesës së epërme në Tetovë prej dy javësh nuk kanë asnjë pikë ujë për të pirë.
Në mungesë të ujit, banorët e lagjes Drenoc detyrohen të paguajnë nga 300 denarë për një mijë litra ujë që e sigurojnë nga bashkëqytetarët e tjerë, edhe pse i njëjti nuk përdoret për pije, pasi rezervuarët nuk janë higjienik.

“A pihet uji prej kësaj? Po veç për motorin sa para paguaj. Një pikë vjen nga ora një apo dy dhe kaq mbushim dhe s`ka më. Ndonjëherë s`ka, më shumë blejmë, ju tregoj edhe njeriun që na shet bile, ai na sjellë për treqind denarë një mijë litër, me korrent e shkarkojmë me korrent e ngarkojmë ujin, ne duhet të punojmë vetëm për ujë. Që prej 25 vitesh jam në këtë lagje, pa hidrofor s`ka ujë”, tha – Isen Islami, Banor i lagjes Drenoc.

Banorët thonë se me këtë gjendje përballen me vite të tëra.

“Që në ’840-tën me ujin në Drenoc kemi problem, në kohën e Jugosllavisë kemi pas dhe tash kemi probleme me ujin. Që prej dy javësh pikë uji nuk kemi, përpara pak ka pasur kemi mbushur bure por tash dy javë jo asnjë pikë. Dy makina i prisha duke bartur ujë. Muaji i ramazanit ka nis duhet pastërti, me kofa a pastrohet njeriu dhe shtëpia, s`pastrohet”, tha një tjetër banor i lagjes së Drenocit.

“Gjithnjë jemi ankuar por kot, nuk na ndihmojnë asgjë askush”.

Kreu i BL-së në Drenoc Bajram Kuçi tha për Alsat se në Ndërmarrjen publike, as telefonat nuk i hapin e lere më të pranojnë në takim.

“E kam kërkuar dje drejtorin e NPK, por nuk ma hapën telefonin. Unë kërkoj që të na dërgojnë cisterna që të kemi ujë të mbushim bidonët, të kenë ujë për tu pastrua për të larë enët. Edhe te zyrat me shkuar nuk na pranojnë më. Ne kërkojmë si lagje që të bëjnë reduktime por reduktime me gypa me ujë, që kur ta lëshojnë mos ketë vetëm -ajër por edhe ujë”, deklaroi Bajram Kuçi, kryetar i Bashkësisë Vendore-Drenoc.

Nga Ndërmarrje publike komunale thonë se mungesa e ujit vjen si pasojë uljes së nivelit të ujit në burime, ndërsa rekomandojnë banorët, që sa më racionalist të përdorin ujin, me qëllim që të arrijë shtypja edhe në lagjet e epërme të qytetit. Nga ana tjetër, nëse vazhdon kjo gjendje edhe në ditët në vazhdim, banorët e lagjes Drenoc kërcënojnë me protesta para Komunës së Tetovës./ALSAT