Babain ma vranë te ara duke lëruar, e Nënën në magje duke gatuar
SHKRUAN: NEHAT JAHIU
BABAIN MA VRANË TE ARA DUKE LËRUAR DHE NËNËN TE MAGJJA DUKE GATUAR…
Ishte ditë vjeshte kur lëvroheshin të gjitha arat në fshat për të mbjellë bereqetin. Bashkëfshatarët në atë kohë bëheshin gati të mbillnin grurin, para se të binte ndonjë shi. Edhe baba Ramizi atë mëngjes i kishte ushqyer qetë mirë e mirë. Në fund ua kishte mbushur edhe nga një koritë me tagji dhe një kovë ujë nga pusi që e kishin aty pranë ftoit në oborr. Nëna brenda në magje e kishte situr miellin dhe përgatiste një pogaçe gruri, për t’ia dhënë babait ta merrte me vete.
Së bashku me pogaçen ia kishte bërë gati pak djathë deleje dhe kos. Ia kishte mbushur edhe një ibrik ujë të ftohtë nga pusi. Para se të nisej nëna ia kishte bërë babait një sahan me trahan. Pasi hëngri trahanin, ai doli në oborr dhe u drejtua nga ahuri ku ishin kafshët. I nxori qetë një nga një dhe i afroi pranë qerres. Aty mbi qerre kishte hedhur plugun, parmendën, farën e grurit etj. Pasi i ngjiti qetë në zgjedhë, nëna ia hapi dyert, e përshëndeti dhe i tha: dhashtë Zoti që gjatë kësaj vere arat të kenë bereqet të mirë! Babai e drodhi edhe një cigare duhan nga kutija e tij. E ndezi me eshkë dhe u nis rrugës, drejt arës sonë të cilën e kishim mu afër fshatit.
Zakonisht në ara bujqit shkonin më herët, sepse kur nxehej koha, qetë i kafshonin mizat. Sapo babai arriti tek ara i kishte futur qetë në zgjedhën e lavrës dhe kishte nisur të lëvronte tokën. Atë mëngjes vjeshte babait i pikonte djersa te “Ara e Gjatë” duke lëvruar e duke hedhur farën e grurit, mu tek ara jonë, ku ndër shekuj kishin lëvruar e mbjellur bereqet të parët tanë si, stërgjyshi, gjyshi etj.
Më vonë i kishte lënë qetë për të pushuar dhe ishte ulur nën hijen e shelgut që gjendej në gurët ndarës të arës sonë dhe të Axhës Rrustë, kushëririt tonë Rrustë Arnori. E mori pogaçen e djathin që ia kishte gatuar nëna herët në mëngjes, afroi ibrikun me ujë të ftohtë dhe filloi të hante. Kur mbaroi bukën, nxori kutinë e duhanit, drodhi një cigare e ndezi me eshkë dhe filloi ta thithte, thellë në mushëkri. Pasi piu cigaren e duhanit ishte ngritur në këmbë dhe vazhdoi të lëvronte tokën. E mbaroi lavrën dhe po bëhej gati ta hidhte farën në ugar.
Në atë moment erdhi shkau dhe i tha të mos e hidhte farën sepse kjo arë nuk ishte ara e tij. Babai me këmbëngulje i thoshte, se kjo është ara ime e trashëguar nga babai i tij Hasan Arnori dhe gjyshi e stërgjyshi i tij. Kjo arë ishte brez pas brezi e trashëguar nga të parët tanë të fisit “Arnorë”. E vrau babain në arë, dhe ara atë ditë vjeshtë nuk u mboll me grurë. Nga ara kishin ardhur në shtëpinë tonë. Shkau e vrau edhe nënën, e cila ishte duke përgatitur bukën pranë magjes, mu aty afër oxhakut të shtëpisë të ndërtuar me gurët e bjeshkëve të malit dhe baltës sonë.
Na e vranë babain e nënën që të na i merrnin arat, livadhet, korijet, malet e fushat e të parëve tanë, të na shpërngulnin nga trojet tona stërgjyshërore nga vatrat tona shekullore. Kishin harruar se do të vijë përsëri një ditë kur nëna dhe babai im do të ngriheshin nga varri dhe do të bëjnë dasëm. Dasmën do ta bëjnë te “Molla e Kuqe”. Do të bëjnë një dasëm të madhe me shumë krushq.
Mu në këtë dasëm babai do të bëhej përsëri dhëndër e nëna do të bëhej nuse, këtu në trojet tona, mu aty te “Molla e Kuqe”. Babai përsëri do të shkojë për të lëvruar tek “Ara e Gjatë” dhe do ta mbjellë arën e tij me grurë. Nëna do të gatuajë bukën mu aty te magja ku dikur e kishin vrarë