Sport

Babai i Jasir Asanit: Kam qarë gjithë natën dhe ditën për atë gol dhe fitore

Nga Klaudio Ndreca

Jasir Asani është padyshim lojtari i momentit te Shqipëria. Super goli i realizuar kundër Polonisë i la të gjithë pa fjalë, pasi ishte një çmenduri. Por Jasiri ka filluar që të na mësojë shpesh me realizime nga distanca të pamundura. Mjafton të shohim edhe njëherë ritransmetimin e atij goli, teksa sapo Jasiri shtron topin për goditje, të gjithë tifozët ngrihen në këmbë në Air Albania, si ta ndienin se ai top do të hynte në rrjetë “çmendurisht”.

Por kush është njeriu më i lumtur në botë për momentin? Sport Ekspres “e gjeti”, babai i Jasir Asanit e thotë i bindur dhe mes krenarisë së madhe: “Jam unë”. Është njeriu që sakrifikoi jo pak për djalin e tij, ku mes një rroge modeste, nuk i la asgjë pa plotësuar fëmijës në ëndrrën për t’u bërë një futbollist i madh. Për fatin e mirë, pasi është pikërisht Jasiri një prej lojtarëve që po e dërgon Shqipërinë në Europian.

“Jam krenar që djali im ka dhënë shumë kontribut për popullin shqiptar edhe pse priti shumë për thirrjen në Kombëtare. Jam njeriu më i lumtur në botë në këto momente. Jasiri luajti shumë bukur, bashkë me djemtë e tjerë. Një falënderim i madh për presidentin Armand Duka dhe Silvinjon që ia dhanë shansin të tregojë veten edhe Jasiri, që e meriton Shqipërinë. Pa ndihmën e Zotit nuk do të kishim arritur deri këtu. Nuk dua të flas shumë për Maqedoninë e Veriut pasi dëshira e Asanit, që në fëmijëri na thoshte: “Dua të luaj për Shqipërinë”. Jo vetëm unë, por e gjithë familja ime e ka ushqyer me frymë Kombëtare. Isha unë që e kam shtyrë drejt futbollit pasi kishte talent.