Avdulla Hoti kërkon dorëheqjen e Albin Kurtit
Ish-kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se në një situatë normale, Kosova sot do të duhej të ishte gati pothuajse në proces të zgjedhjeve nacionale.
Kjo do të duhej të ndodhte sipas Hotit me përjashtimin e FSK-së nga ushtrimi “Defender 2023”, të cilën e quajti ëndërr të ushtarëve të Kosovës.
“Në atë moment që FSK-ja është përjashtuar nga “Defender 2023”, e cila ishte ëndërr e atyre ushtarëve, në atë moment kryeministri është dashur të japë dorëheqje bashkë me ministrin e Mbrojtjes”.
“Sikur mua të më kish ndodhur ajo punë, një minutë në s’do të mund të qëndroja në zyrë. Si qëndron në zyrë ti kur ta kthejnë ushtrinë te shpija. Çfarë arsye tjetër duhet tjetër për një qeveri, për një kryeministër që të japë dorëheqje për ta kthyer normalitetin në vend”, tha Hoti në Rubikon në Klan Kosova.
Ai përmendi edhe një rast të vitit 2020, kur Kosova kishte marrë kërkesë nga ShBA-ja që disa ushtarë të FSK-së të bëheshin pjesë e misioneve paqeruajtëse të ushtrisë amerikane, për të cilën tha se “festë ka qenë në Kosovë”.
“Ne ishim në kulmin e ballafaqimeve politike me opozitën e atëherëshme në kuvend, por aty u bëmë bashkë sepse ishte një e arritur shumë e madhe që ushtria e Kosovës të bëhej pjesë e ushtrisë së ShBA-së. Pas dy viteve, ushtria e Kosovës përjashtohet nga ushtrimet e përbashkëta. Me këtë qeverisje, pas dy viteve përjashtohen, e në atë qeverisje na ftuan të bëhemi pjesë e forcave ndërkombëtare”, tha Hoti, njofton Klankosova.tv.