Maqedoni

Autobusi i “Besa Trans” qindra herë e ka kaluar kufirin me licencë të falsifikuar

Me dokumente të rrejshme për autobusin që u dogj në Bullgari, kompania “Besa Trans” ka transportuar udhëtarën për vite me rradhë, duke mos u ndaluar nga cili do qoftë shërbim kompetent, konfirmuan sot ministrat e Qeverisë.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Sipas evidencës së MPB-së, autobusi në vitin 2020 në 22 raste ka realizuar hyrje dhe dalje nga vendi. Ndërsa në vitin 2021 ka realizuar 113 kalime në kufirin shtetëror. Siç duket janë shfrytëzuar leje nga automjete të tjera dhe për këtë arsye tani është e nevojshme, në korniza të këtij hetimi, të vërtetohen të gjitha faktet dhe të ketë përgjegjësi penale juridike për të gjitha lëshimet e kryera në periudhën e kaluar. Ajo që u zbatua në Drejtorinë e Doganës për Deve Bair duhet të vazhdojë për gjitha vendkalimet tjera kufitare.”

Autobusi që u dogj është drejtuar nga dy shoferë, të papunësuar në kompaninë Besa Trans, njëri me licencë të vlefshme, tjetri me licencë të skaduar. Kompania, organizatore e udhëtimit të kobshëm në Stamboll, ka punuar me dy licenca, të cilat tani i janë marrë, ndërsa udhëtarët i ka dërguar në autobus me dokumente të rrejshme.

BLAGOJ BOÇVARSKI, MINISTËR I TRANSPORTIT DHE LIDHJEVE

“Transportuesi as nuk e ka paraqitur, as nuk ka kërkuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve çertifikatë të licencës për autobusin e djegur dhe për këtë arsye ai nuk është evidentuar në bazën e vetme të të dhënave. Si transportuesi Besa Trans e ka kaluar kufirin? Çertifikata e licencës me numër 22679, e shfrytëzuar nga autobusi i djegur gjatë daljes nga vendi është numri i çertifikatës të licencës së një automjeti tjetër, gjithashtu në pronësi të Besa Trans. Kjo e bën të qartë se transportuesi ka kryer keqpërdorim dhe me vetëdiije e ka shkelur ligjin.”

Ministri Spasovski konfirmoi se për momentin vazhdon hetimi në hapësirat e kompanisë Besa Trans, pasi inspektorati gjatë ditës ka thënë se nuk kanë qasje te pronarët.

Përndryshe 7 të mbijetuarit prej nesër në ditët në vazhdim do të lëshohen nga spitali në Sofje.