Maqedoni

Asnjë zyrtar nuk është sanksionuar për shkelje të Kodit Etik

Asnjë zyrtar nuk është sanksionuar për shkelje të Kodit Etik. Më afër sanksionit ishte zëvendëskryeministri Artan Grubi, në zyrën e të cilit në Ministrinë e Sistemit Politik u mbajtën mbledhjet partiake. Përkundër letrës së zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë Sllavica Gërkovska, ende nuk ka asnjë sanksion nga kryeministri për shkeljet e tilla të Grubit.

“Vetëm për një rast, vetëm për rastin e Artan Grubit, kemi ardhur në situatë pas dy vërejtjeve për mosrespektim të paralajmërimeve, i kemi dërguar letër kryeministrit, i cili sipas Kodit Etik, vendos se çfarë mase do të shqiptojë”, tha Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre.

Sipas Gërkovskës, për disa persona vërejtjet nuk janë të mjaftueshme. Prandaj po punohet për një ligj, me të cilin zyrtarët do të dënohen drejtpërdrejt për shkelje të Kodit Etik.

“Kemi filluar të punojmë për zgjidhje ligjore që do t’i lidhte sanksionet nga Kodi Etik me disa norma ligjore, në bazë të të cilave mund të ketë disa sanksione të tjera, kundërvajtëse apo të natyrës tjetër”, shtoi ajo.

Duke folur për keqpërdorimin e veturave zyrtare për qëllime partiake, që është praktikë sidomos në periudhën parazgjedhore, Gërkovska tha se tashmë ka përmirësim të dukshëm te disa prej atyre që ishin paralajmëruar më parë. Së fundi, zëvendëskryeministri i parë Bojan Mariçiq është parë duke përdorur veturën e tij zyrtare për të nënshkruar kandidaturën e Stevo Pendarovskit për president, por sipas Gërkovskës, deri më tani nuk ka argumente të mjaftueshme për shkelje të mundshme. Ajo gjithashtu bëri thirrje për dallim të qartë midis aktiviteteve shtetërore dhe partiake./Alsat.mk