Asllanaj: Në pllakën e zbuluar në Shkup shkruan “Dardanus, djali i Epikratit”!
“Dardanus djali i Epikratit”. Kështu shkruan në njërën nga pllakat e gjetura në zonën arkeologjike ku u gjet pllaka “Dardanus” në Karposh të Shkupit, deklaroi për portalin Lideri.mk, drejtori i Drjetorisë për Mbrojtje të Trashigimisë Arkeologjike, Armend Asllanaj.
“Në pllakë janë të shkruar emrat e Epikratit dhe bashkëshortes me tre djemtë e tyre, prej të cilëve njëri është quajtur Dardanus”, deklaroi Asllanaj.
Kurse zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi siguron se deri sa nuk nxirren të gjitha artefaktet, nuk do të lejohet ndërtimi, përcjell TV21. Grupi tha se janë respektuar procedurat ligjore nga investitori dhe nuk bëhet fjalë për përvetësim të artefakteve.
“Të gjitha artefaktet që gjenden këtu, do të dërgohen në Muzeun e Shkupit nga Qendra Konservatore e cila po bën në fakt punimet këtu, e jo investitori. Derisa nuk kryejnë punë nga Qendra Konservatore e qytetit të Shkupit, nuk fillon ndërtimi i çfarëdo qoftë objekti në këtë vendbanim”, tha Grubi.