Ashpërsohet retorika mes Shkupit dhe Athinës për Marrëveshjen e Prespës
Athina, sipas tij, “nuk ka përfunduar as tri gjërat themelore”.
“Nëse dikush pret që VMRO-DPMNE të përsërisë gabimet e së kaluarës, të jeni të sigurt se ne nuk do ta bëjmë këtë. Ne nuk kemi ndërmend t’iu përgjigjemi muskujve të tyre politikë duke riemëruar autostrada dhe aeroporte, apo duke ndërtuar monumente. Nuk pres që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në muskuj politikë, pres që të kemi marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore. Vlerësoj se VMRO-DPMNE-ja dhe Qeveria greke e udhëhequr nga Demokracia e Re, kanë qëndrimet e tyre në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, sepse asnjëri prej nesh nuk e pëlqen atë marrëveshje”, ka thënë Mickoski duke aluduar në tri marrëveshjet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me Greqinë, që nuk janë miratuar ende nga Parlamenti në Athinë.
Në anën tjetër, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka thënë se “ne nuk do t’i ratifikojmë memorandumet nga Marrëveshja e Prespës nëse nuk jemi absolutisht të bindur se pala tjetër respekton të gjitha dispozitat e Marrëveshjes së Prespës”.
“E paralajmërova qartë Qeverinë e re në Shkup se çdo devijim nga zbatimi i Marrëveshjes do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë mes tjerash ai.
Marrëveshja e vitit 2018 me Greqinë është kundërshtuar në vazhdimësi nga VMRO DPMNE-ja, e cila i ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit të këtij viti.
Pala greke në disa raste ia ka rikujtuar Shkupit se moszbatimi i të gjitha obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, mund të ketë pasoja në procesin e integrimit të saj në BE./REL