BallinaMaqedoni

ASH-Sela: Siljanovska me retorikën e Putinit, agresionin në Ukrainë e quan “operacion ushtarak”

Nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Selës thonë se presidentja Gordana Siljanovska Davkova në vend që të rreshtohet me vendet perëndimore dhe të respektojë obligimet që dalin nga anëtarësimi në NATO, “ndjek rrugën e aleatëve të Rusisë, si Serbia dhe vendet e tjera anti NATO”. Nga ASh Sela e quajnë skandal cilësimin e agresionit rus në Ukrainë si “operacion ushtarak, ndërkaq presin distancim të qartë nga drejtuesit e Qeverisë si dhe kërkim falje dhe korrigjim nga presidentja.

“Aleanca për Shqiptarët e vlerëson si skandaloze dhe të papranueshme deklaratën e presidentes, Gordana Siljanovska Davkova e cila agresionin rus në Ukrainë e ka cilësuar si “operacion ushtarak”. Kjo është hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s, përdor retorikën zyrtare të Putinit dhe propagandën e Kremlinit zyrtar për një konflikt të paprovokuar që ka shkaktuar mijëra civil të pafajshëm. Përdorimi i shprehjeve të këtilla cënon pozicionin ndërkombëtar dhe aspiratat euro-integruese, ndërsa konfirmon edhe një herë mentalitetin dhe orientimin pro rus të Qeverisë aktuale”, thonë nga ASH-Sela.