ASH: Pas shumë kriminelëve, lirinë e bleu edhe Orce Kamçev
Aleanca për Shqiptarët (ASh) sot përmes një konference për shtyp reagoi pasi Gjykata e Apelit liroi nga paraburgimi biznesmenin Jordan Kamçev në lidhje me rastin “Parcelat në Vodno”, i cili ishte në paraburgim nga marsi i vitit 2021, nga atje thonë se pas shumë kriminelëve, në formë të njëjtë lirinë e bleu edhe Orce Kamçev, një nga të akuzuarit kryesor për veprat më të rënda të keqpërdorimit të parave të qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Vendimin e Gjykatës së Apelit në Shkup, ASh-ja e konsideron skandaloz.
“Po lirohet edhe një bashkëpunëtor i regjimit të kaluar dhe regjimit aktual hibrid të udhëhequr nga Ahmeti-Mijallkov-Zaev. Edhe Kamçev njëjtë si Mijallkov, po e blen lirinë pikërisht me paratë të cilat dyshohet se i ka vjedhur nga xhepi juaj. Ky rast ashtu edhe si në rastet paraprake vetëm se konfirmon atë që ne e deklarojmë me vite. Në Maqedoninë e Veriut mafia ka bërë shtet, mafia fiton shtetësi, ndërsa qytetarët që nuk kanë 11 milionë euro mbahen të pafajshëm në burgje”, tha deputeti Adnan Neziri nga ASh.
Ndryshe, kusht për lirimin e Kamçev nga paraburgimi janë 11 milionë euro pronë dhe para të gatshme, të cilat e bindën Gjykatën të pranojë ankesën e palës mbrojtëse. Pas lirimit nga paraburgimi, ai do të jetë pa pasaportë, ndërkohë duhet të paraqitet një herë në javë në gjykatë.
Biznesmeni Orce Kamçev, i akuzuar në rastet “Parcelat në Vodno”, prej dje me leje të Gjykatës Penale në Shkup nga burgu i Shutkës u dërgua për kontrolle në spitalin privat “Sistina”, ku është edhe pronar i pjesshëm.
Me garancion prej 11 milionë euro, javën e kaluar u lirua nga paraburgimi edhe ish-shefi i shërbimit sekret në Maqedoninë e Veriut, Sasho Mijallkov.
Nga marsi i këtij viti, Kamçev disa herë ka qenë në kontrolle, por Gjykata Penale për herë të parë lejoi që ai të shkojë në kontrolle në spitalin privat në të cilin është anëtar i bordit drejtues.