ASH me Ekspozitë para Kuvendit: Regjimi i reinkarnuar, beteja e 27 prillit vazhdon
Aleanca për Shqiptarët sot para Kuvendit ka ekspozuar disa fotografi nga ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017, përcjell in7strong>.
Nga ASH thonë se LSDM dhe BDI po vazhdojnë veprat e bëra më herët nga VMRO-DPMNE.
Teksti integral i press Konferencës:
Sot mbushen 5 vite nga dita e betejës kundër një regjimi demokrature në vepër, me qëllim për të kthyer Maqedoninë e Veriut drejt normalizimit institucional dhe rrugës drejt një demokracie më të zhvilluar. Një betejë në të cilën u derdh gjak, u rrezikuan jetë dhe u sulmua tempulli i demokracisë. Por, sot pas 5 viteve, kjo betejë u shit nga një regjim i ri që tanimë ka marr përmasat e atij të kaluarit.
Më 27 prill 2017 rrëzuam gjysmën e regjimit, Nikolla Gruevskin me klanin e tij dhe u zotuam se do të vazhdojmë për të rrëzuar edhe gjysmën tjetër, partnerin e Gruevskit, BDI-në. Në këtë ekspozitë shihen qartë, në mënyrë të ilustruar, ndodhitë e asaj dite.
Fatkeqësisht, sot LSDM është bërë bashkë me gjysmën e atij regjimi, BDI-në dhe ata krijuan një regjim hibrid, krijuan një qeverisje të pashpresë dhe dëshpëruese. Amnistuan organizatorët dhe realizatorët e 27 prillit, burgosën pafajësisht Feta Alimin dhe vazhduan me krimin dhe korrupsionin, kapjen e shtetit, partizimin e gjyqësorit, plaçkitjen e qytetarëve dhe izolimin e vendit.
Megjithatë, Aleanca për Shqiptarët është e vendosur të vazhdojë këtë betejë dhe jemi të bindur se do të triumfojmë. Ne nuk jemi vetëm. Në këtë betejë jemi të vendosur, bashkë me qytetaret, me faktorin ndërkombëtar dhe me të gjithë ata që janë kundër regjimeve, tha Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët./in7.tv/