Maqedoni

ASH-ja paralajmëron padi ndaj Arsovskës, kjo është arsyeja

Aleanca për Shqiptarët akuzon kryetaren e Qytetit të Shkupit për shkeljen e Ligjit të Shkollave të Mesme, gjatë emërimit të tre ushtruesve të detyrës drejtor në shkollat e mesme “Koço Racin”, “8 shtatori” dhe “Arseni Jovkov”. Sipas ASH-së personat e emëruar nuk posedojnë certifikatë për njohjen e gjuhës angleze dhe nuk e kanë kaluar provimin për drejtor.

“Në shkollën e mesme ‘Koço Racin’, u.d caktohet personi T.B, person që në rend të parë nuk është nga të punësuarit e rregullt në këtë shkollë. Personi T.B emërohet u.d pa mos plotësuar kushtin që është mjaft i rëndësishëm, që ai të ketë dhënë provimin për drejtor…Në shkollën e mesme 8 shtatori’ po ashtu emërtohet ushtrues detyre drejtor personi me iniciale A.Ç, person që nuk vërteton as provim për drejtor as certifikatë për njohje të gjuhës angleze. Shkolla e radhës është shkolla e mesme ’Arseni Jovkov’, në këtë shkollë, Arsovska emëron person që nuk ka as certifikatë për njohjen e gjuhës angleze”, tha Arianit Reka, Aleanca për Shqiptarët.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet të mos heshtin ndaj këtyre veprimeve kundërligjore të kryetares së Qytetit të Shkupit, dhe të ndërmarrin masa, në të kundërtën paralajmërojnë procedura penale.

“Kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës të veprojë në suaza të ligjit, të kthehen ligjshmëritë në këto shkolla duke i marrë përkohësisht kryetares së qytetit të Shkupit, kompetencat për arsim. Aleanca për Shqiptarët do të iniciojë procedurë penale, për çdo institucion dhe person në pozitë udhëheqëse për të gjitha rastet ku ata nuk veprojnë me vendimet e inspektoratit të arsimit”, theksoi Arianit Reka, Aleanca për Shqiptarët.

Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigj pyetjeve të Alsat lidhur me akuzat e ASH-së. Ndërkohë nga Ministria e Arsimit thonë se pasi të grumbullojnë të gjitha informacionet do të njoftojnë për hapat e mëtejshme.