Maqedoni

ASH-ja e Taravarit: Krim i organizuar në Gjykatën e Tetovës me sjelljen e vendimit për kryetarin e partisë

Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit sot përmes një konference për shtyp ka hedhur dyshime për krim të organizuar në sjelljen e vendimit nga ana e Gjykatës së Tetovës e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës që Sela të jetë kryetar i partisë.

Nga ASH-ja krahu i Taravarit theksuan se ky lajm doli në opinion pa u informuar përfaqësuesi ligjor i ASH-së.

“Grupacioni i pakënaqur që përfundoi te BDI përdori të gjitha mekanizmat e pushtetit për të ndërruar katër gjyqtarë deri në momentin që arritën të gjejnë gjyqtarin e tyre të preferuar që u kryen punë padrejtësisht. Kjo parregullsi dhe ky paradoks i informimit na e vërteton atë që sistemi gjyqësor në RMV është i kapur nga politikanë të papërgjegjshëm”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit.

Ndërkaq avokati i ASh-së krahu i Taravarit, Abidin Abduli theksoi se janë ndryshuar disa gjykatës, ndërsa disa tjerë kanë shkuar në pushim mjekësor.

“Në vendim vetëm citohen dokumentacioni i dorëzuar nga pala tjetër, pa mos u shqyrtuar asnjë dëshmi, asnjë kërkesë e jona dhe pa hyrë t’i kontrollojnë dëshmitë dhe faktet e palës tjetër. Para jush i kam procesverbalet e gati shumicës së degëve të ASH-së të cilat nën direktivën e zotit Sela mbajnë kuvende mes 10-18 shkurt, prej ditës kur e kanë mbajtur kuvendin në restorant Bushi deri në kongres, në datat 13, 14 dhe 15 mbajnë kuvende degësh me çka i pushojnë nga detyra delegatët e kongresit dhe zgjedhin delegatë të rinj. Në kongres të jashtëzakonshëm shkohet me delegatët paraprak, nuk mund të shkosh në kongres të jashtëzakonshëm me delegat të ri, ata bëjnë ndërrimin e më shumë se 400 delegatëve”, tha Abduli.

Ai theksoi se kuvendi qendror i ASH-së krahu i Selës nuk ka pasur kuorum, pasi në Gjykatën e Tetovës janë dorëzuar 68 deklarata të kuvendarëve të ASH-së me deklarim se nuk kanë marrë pjesë në kuvendin qendror në restorant Bushi të thirrur nga Sela.

“Në bazë të statutit të partisë thirrjen e kongresit të drejtë ekskluzive e ka kryetari i partisë dhe 2/3 e kuvendarëve”, tha Abduli.

Ai theksoi se Gjykata e Tetovës dëshmitë e tyre nuk i citon në vendimin e vet, e aprovon njëanshëm kërkesën e palës tjetër dhe në fund vetëm e refuzon kërkesën e tyre me arsyetim se ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë komplet ndërrimin e statutit të partisë.

“Hedh dyshime të mëdha se ky vendim është sjellë jashtë institucionit Gjykata Themelore e Tetovës dhe vetëm është nënshkruar nga gjykatësi Ilir Rexhepi”, tha Abduli.

Ai hodhi dyshime për krim të organizuar mes kryetarit të gjykatës, gjykatësit që ka vendosur për lëndën dhe njërit prej avokatëve të palës tjetër.

“Lëndën do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit në Gostivar. Do i shohim të gjithë mundësitë që të shohim përgjegjësi procedurale dhe penale për kryetarin e gjykatës dhe gjykatësin që ka vendosur”, tha Abduli.

Ata theksuan se shpresojnë që Gjykata e Apelit në Gostivar do sjell vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

Kujtojmë që edhe paraprakisht nga krahu i Taravarit disa herë kanë theksuar se në këtë rast është bërë presion ndaj gjykatës për ndryshimin e gjykatësve disa herë në këtë lëndë.

Konferencë për shtyp në ora 13:00 kanë paralajmëruar nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës.

Dje nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës informuan se kanë pranuar vendim të gjykatës me të cilin pranohet kërkesa e tyre për regjistrimin e Ziadin Selës si kryetar të partisë.

Kujtojmë se Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Me këtë Aleanca u përça në dy fronte, në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje do shkojë bashkë me opozitën shqiptare VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike) dhe në krahun e Ziadin Selës i cili në zgjedhje do të garojë me “Frontin Evropian” (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.