ASH e Taravarit: A ka luajtur Valdet Xhaferi, si ish-drejtor i Byrosë për ekspertizë gjyqësore, një rol të fshehur në vonesën e trajtimit të rastit tragjik të Laskarcës?
Ndaj akuzave të BDI-së të thëna sot nëpërmjet një paraqitje para mediave, kanë reaguar nga Aleanca për Shqiptarët në Gostivar, transmeton TV21. Kanë dërguar kritika ndaj përfaqësuesve të kësaj partie në Gostivar dhe kanë premtuar se kanë paraparë një sërë projektesh në kuadër të pakos 100 milionë euroshe të Qeverisë.
“Gostivarasit, banorët e Laskarcës dhe e gjithë shoqëria, vazhdojnë të bëjnë pyetjen e madhe: a ka luajtur Valdet Xhaferi, si ish-drejtor i Byrosë për ekspertizë gjyqësore, një rol të fshehur në vonesën e trajtimit të rastit tragjik të Laskarcës? A ishte kjo një përpjekje për të lehtësuar situatën për të akuzuarit? Kjo është një çështje që nuk mund të heshtet dhe që meriton një përgjigje të drejtë dhe të hapur!
Në kuadër të thirrjes publike prej 100 milionë euro deri në vitin 2024, të shpallur nga Qeveria përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, Komuna e Gostivarit po përgatit një sërë projektesh të rëndësishme që synojnë të përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Këto projekte do të sjellin investime të reja, përmirësime infrastrukturore dhe shërbime publike më efikase për të gjithë”, thanë nga ASh – Gostivar.
Mohojnë se borxhi i komunës është 1.3 milionë euro siç u akuzua nga BDI-ja. Thonë se ai kap vlerën 556.839.788 denarë.
“Sidoqoftë, Komuna e Gostivarit përballet aktualisht me një borxh prej 556.839.788 denarë, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset i detyrohen komunës 289.549.396 denarë. Pavarësisht këtyre sfidave financiare, komuna ka treguar një mirëkuptim të madh gjatë pandemisë dhe krizës energjetike, duke mbështetur borxhlinjtë e saj. Për t’u përballur me këto vështirësi, po punohet për rritjen e bazës tatimore përmes rivlerësimit të pronave, si dhe është planifikuar aplikimi për obligacione përmes Ministrisë së Financave. Për më tepër, Ministria e Arsimit do të shlyejë borxhet e saj, ndërsa në bashkëpunim me UNDP po krijohet një sistem inovativ online për pagesën e taksave”, thuhet më tej në reagim.