Arsovski dhe Hoxha: Krijohen kushte për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor për qytetarët e RMV-së, Shqipërisë dhe Serbisë
Zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp informuan në detaje për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të 127-të të Qeverisë.
Zëdhënësit kumtuan se për shkak të parandalimit të rritjeve eventuale të produkteve ushqimore, në mbledhjen e djeshme Qeveria e plotësoi Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të produkteve të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë me tri produkte të reja elementare ushqimore oriz, vezë dhe pasta. Çmimet e këtyre produkteve janë ngrirë në nivel të çmimeve deri më 1 dhjetor dhe do të vlejnë deri më 31 janar 2022.
Në pyetjen gazetareske, nëse planifikojnë masa plotësuese për prodhuesit e orizit për shkak të pakënaqësive nga ngrirja e çmimit të orizit, u potencua se masa për ngrirjen e çmimeve të disa prodhimeve themelore ushqimore, mes të cilave edhe orizi, u soll për të mbrojtur standardin e qytetarëve, me atë që do të parandalohet rritja e çmimeve dhe se kjo masë ka një afat të kufizuar deri më 31 janar 2022.
“Për të mbrojtur shëndetin publik dhe për rimëkëmbje ekonomike si interes publik, Qeveria e miratoi Informacionin për furnizim të vaksinave kundër KOVID-19 për vitin 2022, sipas të cilës është përcaktuar nevoja për furnizimin e 500.000 dozave të vaksinës mRNA (mRNK) nga prodhuesi “Pfizer”, ku duhet të kyçen edhe dozat pediatrike në sasi prej 1 % nga numri i përgjithshëm i fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut të moshës prej 5 deri 12 vjeç, përkatësisht rreth 10.000 doza”, informuan zëdhënësit Arsovski dhe Hoxha.
Ata gjithashtu informuan se dje Qeveria miratoi tekstin e Marrëveshjes për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, kjo marrëveshje do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre tre vendeve të lëvizin dhe të punojnë lirshëm në secilën prej tyre.