Maqedoni

Arrestohet në Shqipëri 45-vjeçari nga Maqedonia e Veriut i dënuar për vrasje

Tentoi të dilte nga Shqipëria, me pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, pas verifikimeve të thelluara nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpolin, vihet në pranga 45-vjeçari nga Maqedonia e Veriut.

45-vjeçari, i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, për vrasje.

Krahas angazhimit të përditshëm për të ofruar shërbim cilësor për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit kanë intensifikuar kontrollet dhe verifikimet, me qëllim ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo PKK.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Kufitare të portit të Durrësit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës, Interpol Shkupit dhe Interpol Beogradit, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Maqedonisë së Veriut, shtetasi D. S. alias D. I., 45 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Ky shtetas ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë dhe t’iu shmanget autoriteteve, duke përdorur një pasaportë me ngjashmëri, të një shtetasi nga Serbia, me rekorde kriminale. Pas verifikimeve të thelluara të kryera nga Policia, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet e RMV-së, pasi Zyra e Prokurorisë i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga Kodi Penal i këtij shteti.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit.