Shqipëri

Arrestohen dy vajza nga Brazili e Argjentina, u shitnin droga të forta turistëve në Shqipëri

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se disa shtetas që kishin ardhur si turistë në zonën bregdetare të Dhërmiut, kryenin veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 7”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj:
-T. G., 28 vjeçe, shtetase spanjolle;
-C. M., 28 vjeç, shtetas brazilian;
-Y. I., 32 vjeçe, shtetase argjentinase;
-R. D., 40 vjeç, shtetas argjentinas;
-N. M., 27 vjeç, shtetas italian.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ambienteve ku këta shtetas ishin akomoduar, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të llojit GHB (Gamma-hydroxybutyrate), të ndarë në 160 doza, 30 doza Poppers, 49 doza ekstazi, 2 doza MDMA, 18 doza kokainë dhe 3 doza kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 5 aparate celulare.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 610 pesos (monedha argjentinase), 340 euro dhe 400 dollarë, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 5 shtetas kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Strukturat e Policisë në qarkun Vlorë janë të vendosura për të parandaluar, evidentuar dhe goditur çdo paligjshmëri, që kryhet si nga shtetas shqiptarë ashtu dhe nga shtetas të huaj që vizitojnë vendin tonë, si dhe për të garantuar rendin, sigurinë dhe një ambient sa më të qetë gjatë sezonit turistik veror./Top Channel