Arrestohen dy persona, policia u gjeti vota të fotografuara në celular nga raundi i parë
Dy qytetarë të Ohrit, anëtarë të një këshilli zgjedhor të propozuar nga një parti politike, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, fotografuan listat e votuesve dhe fletët e votimit dhe ndanë informacione në një aplikacion për komunikim celular. Ata u bastisën dhe pasi u kontrolluan telefonat e tyre dyshohen për keqpërdorim të të dhënave personale dhe shkelje të Kodit Zgjedhor.
“Më datë 06.05.2024, pas të dhënave operative të siguruara paraprakisht për fotografimin e listës së zgjedhësve dhe fletëve të votimit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur më 24.04.2024, gjyqtari i procedurës paraprake ka dhënë urdhër për kontrollin e banesës dhe ambienteve ndihmëse të M.M. (51) nga Ohri dhe T.C.T (44) nga Ohri, anëtarë të këshillave zgjedhore të propozuar nga një parti politike”, transmeton Lideri.mk njoftimin e MPB-së.
Sipas policisë, gjatë kontrollit u gjetën dy celularë, në të cilët u gjetën foto të listës zgjedhore me të dhëna personale të votuesve në listën zgedhore, foto të fletëve të votimit me numër të rrethuar, të cilat u dërguan nga votuesit si dëshmi se kishin dhënë votën për një kandidat, më pas të shpërndara në një grup komunikimi të krijuar në një aplikacion komunikimi celular. “Dy personat janë intervistuar në stacionin policor”, njoftoi SPB Ohër.
Gjithashtu, janë thirrur edhe persona të tjerë për të siguruar materiale shtesë dëshmuese për veprën penale nga neni 149 i KP “keqpërdorimi i të dhënave personale” dhe vepër penale nga neni 190 paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor./Lideri