Aromë Alfabeti në Manastir
SHKRUAN: NEHAT JAHIU
Sa e sa herë kisha dëgjuar dhe lexuar për Kongresin e Alfabetit! Sa e sa mall kisha ta shihja edhe njëherë këtë qytet të bukur e të lashtë Manastirin, qytetin e Alfabetit të gjuhës shqipe e të thithja aromën e çdo shkronje veç e veç. Të futem në atë sallë ku dikur ishin mbledhur bijat dhe bijtë e mëdhenj të kombit tim. Kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Kishin ardhur nga të gjitha viset e botës ku punonin këta atdhetarë për çështjen kombëtare. Të shihja atë odë burrash ku ishin mbledhur të bashkuar intelektualë, poetë, shkrimtarë shqiptarë për të bërë alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe, të cilin do e përdorin të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë pa dallim feje. Pra, ata ishin aty me ditë e natë gjithmonë duke shkrirë gjithçka për gjuhën e tyre, për gjuhën tonë të ëmbël, për gjuhën e bilbilit. Kurrën e kurrës nuk mund ta harroj atë vend me një histori kaq të lavdishme të gjuhës sime shqipe. Me mua ishte mësuesi i ndjerë Bardhyl Kosova një atdhetar i arsimit shqip në trojet tona.
Aty pamë shumë dokumenta me shkrime shqip, konkluzione, vendime të shkruara nga ata intelektualë të mëdhenj të gjuhës dhe letërsisë shqipe… Aty pamë emrat dhe mbiemrat e burrave të kombit. Pamë nënshkrimet e tyre, pamë portretet e tyre. Unë dhe mësuesi im Bardhy Kosova u habitëm. Gjithsesi duhet thënë e vërteta se mezi përmbaheshim nga emocionet që na kishin kapluar. Unë dhe mësuesi i dashur Bardhyli u shikuam sy më sy dhe u shtrënguam fort fizikisht e shpirtërisht që të mundnin emocionet. Por gjithçka në ato çaste ishte e kotë. Unë u mundova të përmbahesha, por kur ktheva kokën nga mësuesi Bardhyl Kosova, në fytyrën e tij pashë duke i rrjedhur lotët. Atëherë as unë nuk munda të përmbahesha më. U ktheva nga mësuesi im. E përqafova me mall e dashuri. Nxora nga xhepi i palltos shaminë time dhe fillova t’ia fshija lotët mësuesit tim. Pas shqetësimit që ndjemë bëmë edhe disa vizita.
Dolëm nga ky monument historik shqiptar me shumë përshtypje dhe emocione.
Shëtitëm në qytetin e alfabetit që pastaj të hipnim në autobus për t’u kthyer në vendlindje. Kurrë nuk munda t’i harroja gjatë jetës këto përjetime. Mësuesi im Bardhyli derisa ishte gjallë në këtë botë, nuk e di sa e sa herë ka derdhur lot kur kujtonim alfabetin e gjuhës shqipe. Nuk kishte kaluar shumë kohë dhe mësuesi im Bardhyl Kosova kishte ndërruar jetë. Shpeshherë kisha shkuar për ta vizituar të ndjerin tek varri i tij ku prehej në tokën mëmë të cilën e deshi aq shumë. Një ditë kur e vizitova mora një abetare me alfabetin shqip dhe ia vendosa tek varri pranë kokës së mësuesit që edhe pas vdekjes ta shuante etjen e tij për alfabetin e gjuhës shqipe.