Anketë: Mbi 60 përqind e bullgarëve duan që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE
Sondazhet tregojnë se përqindja e atyre qytetarëve në Bullgari që besojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë negociatat me BE-në, pa arritur një marrëveshje për çështjet e hapura, po rritet.
Kështu mendojnë 29.6 për qind e të anketuarve, që është një rritje prej rreth 13 për qind krahasuar me nëntorin 2020.
Pothuajse 61% e qytetarëve bullgarë besojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) duhet të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), tregojnë rezultatet e një sondazhi të publikuar nga Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo është përgjigja e pyetjes – cili është interesi parimor i Bullgarisë për anëtarësim në RMV-së në BE, nëse çështjet kontestuese lihen anash? 60,9% e bullgarëve janë përgjigjur se vendi duhet të bëhet anëtar i Unionit, dhe 32,2% e të anketuarve kanë thënë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së.
Interesante janë edhe krahasimet e qëndrimeve të qytetarëve për pyetjen – a duhet thënë “po” në fillim të negociatave dhe pa arritur marrëveshje për çështjet e hapura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriu?
“Po” janë përgjigjur 29,6 për qind e të anketuarve që në këtë anketë është një rritje prej rreth 13 për qind krahasuar me përgjigjet e dhëna në anketën e nëntorit 2020, kur 16.9 për qind ishin përgjigjur pozitivisht.
69% e bullgarëve mendojnë se nuk duhet lejuar fillimi i negociatave pa zgjidhjen e çështjeve të hapura. Në nëntor 2020 me këtë qëndrim ishin 81.1 për qind.
Një pikë interesante nga hulumtimi i përcjellë nga BNT është se çdo i gjashti bullgar ka të lidhje farefisnore me RMV-në. Pyetjes nëse në mesin e të afërmve, përfshirë edhe ata të largët, keni njerëz me rrënjë në hapësirën gjeografike të Maqedonisë, 17,3 për qind janë përgjigjur me “po”. 81,9% thanë “jo”, ndërsa 0,8% nuk e dinin.