Maqedoni

Anketë e re, qytetarët nuk i besojnë koalicionit Zaev – Ahmeti

Anketë: Besim në Qeverinë kanë 42 për qind e qytetarëve, për mbi 50 për qind marrëdhëniet me Bullgarinë janë duke shkuar në drejtim negativ

Gjithsej 42 për qind e qytetarëve kanë besim në Qeveri, ndërsa 56,5 për qind janë deklaruar në mënyrë negative lidhur me punën e saj. Në mesin e tyre që kanë besim në Qeveri, më të shumtë janë shqiptarët (61,8 për qind) dhe pjesëtarët e bashkësive më të vogla (51,5 për qind), për dallim nga maqedonasit, tek të cilët qëndrim të tillë kanë një e treta (33,9 për qind).
Këtë e dëshmojnë rezultatet e hulumtimit të fundit të Qendrës së Maqedonisë së Veriut për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMVBN), “Besimi në Qeveri dhe zgjedhjet lokale” kushtuar disa çështjeve aktuale politike. Për QMVBN-në, anketën përmes telefonit e ka zbatuar M-Prospekt në periudhë prej 17 deri më 24 mars 2021, në një ekzemplar reprezentativ nacional prej 1003 anketash.

Sipas anketës, mbi tre të katërtat e qytetarëve ose 78 për qind vlerësojnë se vendi është në krizë politike, ndërsa qëndrim të tillë kanë 87,6 për qind e simpatizuesve të VMRO-DPMNE-së dhe 78,6 për qind e të papërcaktuarve.

“Të pyetur për atë se çfarë vlerësojnë se është zgjidhja e tejkalimit të krizës politike, numri më i madh i qytetarëve, gjegjësisht 36 për qind kanë thënë se ato janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rreth një e katërta besojnë se Qeveria ka fuqi të vazhdojë dhe të përballet me krizën, ndërsa për 15,7 për qind zgjidhja është në formimin e koalicionit të gjerë të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Parë nga perspektiva e përkatësisë etnike, maqedonasit më shpesh e kanë zgjedhur përgjigjen “zgjedhje të parakohshme parlamentare” (42,4 për qind), ndërsa shqiptarët më shumë besojnë se Qeveria ka fuqi të vazhdojë dhe të përballet me krizën (47 për qind)”, theksojnë nga QMVBN.

Duke i pasur parasysh diskutimet për përfshirjen e përkatësisë etnike në letërnjoftime, qytetarët lidhur me këtë pyetje janë të ndarë, gjegjësisht, 49,7 për qind pajtohen me përfshirjen e përkatësisë etnike në letërnjoftime, ndërsa 48,7 për qind nuk pajtohen. Mbështetja, thuhet në kumtesë, është më e shprehur tek shqiptarët (83,5 për qind) dhe pjesëtarët e bashkësive më të vogla (77,3 për qind).

Në anketë janë kyçur edhe pyetje për regjistrimin dhe marrëdhëniet me Bullgarinë me ç’rast rezultatet kanë dëshmuar se shumica e qytetarëve ose 60,8 për qind nuk besojnë se regjistrimi i popullatës do të zbatohet me cilësi përkatëse. Më të shumtë midis tyre janë maqedonasit etnikë (69,5 për qind).

Për më shumë se gjysmën e qytetarëve ose 53,6 për qind marrëdhëniet me Bullgarinë zhvillohen në drejtim negativ. Dallime në qëndrime ka në bazë të përkatësisë etnike dhe tek simpatizuesit e partive politike.

Rezultatet e hulumtimit për pjesën për zgjedhjet lokale do të prezentohen deri në fund të javës, shtohet në kumtesën e QMVBN-së.