BallinaMaqedoni

Anketë e re nga Market Vision: VLEN për herë të parë para BDI-së, Mickoski bindshëm lideri me rejting më të lartë

Kryeministri maqedonas dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, bindshëm është në krye të listës së liderëve politikë tek të cilët kanë besim qytetarët e Maqedonisë. Partia VMRO-DPMNE do të vazhdojë të jetë partia e parë politike për të cilën qytetarët e Maqedonisë do të votonin sërish nëse nesër mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Tek kampi shqiptar, VLEN për herë të parë është para BDI-së, ndërsa LSDM-ja e katërta pas BDI-së. Kjo është pjesë e rezultateve të anketës së opinionit publik të realizuar për MKD.mk nga agjencia Market Vision nga 6 deri më 15 dhjetor në mesin e 1200 të anketuarve.

Në pyetjen se cilit lider të partisë politike keni më shumë besim, 27,2 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se është Hristijan Mickoski. Në vend të dytë, me vetëm 5.3 për qind besim, është Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së. Pas tyre vijnë Maksim Dimitrievski dhe Venko Filipçe me nga 3.6%, pastaj Arben Taravari (2.9%), Dimitar Apasiev (2.26%), Izet Mexhiti (1.8%), Bilall Kasami (0.7%), Zijadin Sela (0.5%), Afrim Gashi (0.2%)…

“Për herë të parë në historinë pluraliste politike maqedonase, kryetari i partisë së shqiptarëve në Maqedoni është në vendin e dytë në mesin e liderëve politikë. Ato dy vende të arritshme ishin të “rezervuara” për liderët e VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së. Kryetari aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, e ndan vendin e tretë në këtë renditje së bashku me Maksim Dimitrievskin, kryetar i partisë së re ZNAM. Dhe si partia, LSDM, zhytet në vendin e katërt pas VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe VLEN-it”, shkruan MKD.mk.

Për lidershipin e ri të LSDM-së dhe sfidat me të cilat ballafaqohet pas zgjedhjeve të fundit, si dhe kapacitetin për të reformuar partinë dhe për të krijuar politika të pranueshme për qytetarët, të anketuarit në këtë hulumtim kanë një rezervë të madhe. Më shumë se 48 për qind e të anketuarve nuk besojnë në këtë kapacitet dhe aftësi për të krijuar një politikë të re, kurse 18.4 janë përgjigjur pozitivisht në këtë pyetje.

Dhe këtë e vërteton edhe vlerësimi i partisë, mbizotëron pesimizmi në raport me mundësitë për rinovimin e partisë.

Në pyetjen se nëse mbahen nesër zgjedhjet e ardhshme, për cilën parti politike do të votonin, 21,5 thonë se do të votonin VMRO-DPMNE-në, për koalicionin VLEN do të votojnë 5,5%, për BDI-në 5,4%, për LSDM, 3,9%, për Levicën 2,9%, për ZNAM 2,1%…

Mbi 50 për qind e të anketuarve nuk kanë dashur të përgjigjen, kanë thënë se nuk do të votojnë, se ende nuk e kanë marrë vendimin dhe se nuk e dinë se për kë të votojnë.

Ky hulumtim tregon se besimi te Mickoski është më i madh se rejtingu i partisë. Ajo që është gjithashtu interesante është se për herë të parë në bllokun e koalicionit shqiptar, VLEN ka rejting më të madh se BDI.

Anketa është realizuar nga 6 deri më 15 dhjetor duke përdorur metodën CATI – anketë telefonike me kompjuter në mesin e 1200 të anketuarve (gabim statistikor: 3%; intervali i besueshmërisë: 95%). Të anketuarit janë përfshirë në nivel të Maqedonisë për nga rajoni, gjinia, mosha dhe përkatësia etnike sipas të dhënave për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021.