Kosovë

Analisti gjerman: Kurti ka të drejtë, perëndimi po tregohet shumë i butë ndaj Beogradit

Nuk po e sheh një proces të dialogut parimor e të balancuar mirë mes Kosovës dhe Serbisë.

Analisti gjerman, Bodo Weber, thotë se Kosova nuk po trajtohet e barabartë me Serbinë në tavolinën e negociatave që po ndërmjetësohet nga unioni evropian.

Sipas tij, shtetet Perëndimore kanë krijuar një perceptim se problemi qëndron tek Prishtina për krizën në veri.

“Albin Kurti ka plotësisht të drejtë kur po thotë se procesi i dialogut momentalisht është i pa balancuar. Është mese e qartë se Perëndimi është duke përdorur një politikë të butë ndaj Beogradit. Me atë se çfarë ka ndodhur gjatë periudhës së fundit shtetet Perëndimore kanë krijuar një perceptim se Prishtina është problemi kryesor. Një qasje e tillë ndëshkuese e Perëndimit ka munguar ndaj Beogradit kur për shembull serbët vendosën të largohen nga institucionet e më pas i bojkotuan zgjedhjet”, vlerësoi Weber për Teve1.

Por ai nuk po sheh vullnet nga asnjëra palë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit.

“Është e qartë se ka nuk ka vullnet nga Prishtina dhe Beogradi që ta respektojnë marrëveshjen e arritur në Ohër. Ky është rezultat i gjithë procesit të negociatave që është projektuar keq nga Perëndimi duke u qasur shumë butë ndaj Beogradit, dhe si rrjedhojë marrëveshjet nuk merren seriozisht. E për shkak të një qasje të tillë të pa balancuar e pafavorshme ndaj Prishtinës, ka ndikuar që kjo e fundit të humbas besimin tek ndërmjetësuesit e këtij procesi. Kjo në një farë forme i justifikon edhe veprimet e Prishtinës që të mos i zbatojë fare marrëveshjet”, deklaroi Weber.

Për shtensionimin e situatës në veri BE dhe SHBA kanë kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat veriore.