Kosovë

Analisti amerikan për sulmin në Banjskë: Ambasada amerikane në Beograd ka kontribuuar edhe vetë për këtë problem (Video)

Analisti amerikan për çështjet e Ballkanit, Edward P. Joseph vlerëson se mosreagimi i duhur i Ambasadës Amerikane në Beograd ka kontribuuar në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe morën lëndime tre policë tjerë.

Joseph në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se Ambasada e SHBA-së në Beograd nuk ka reaguar si duhet në disa raste, përfshirë edhe në rastin e kidnapimit të policëve të Kosovës.

“Nuk jam tash një zyrtar amerikan dhe nuk mund të them se çfarë po ndodh brenda. Dhe nuk është e drejtë as që të spekuloj për këtë. Çfarë mund t’ju them unë është se çfarë shoh, dhe ajo që shoh është që Ambasada amerikane në Beograd ka kontribuar edhe vetë për këtë problem, sepse më 19 maj vetëm kryeministri Kurti u fajësua, jo Beogradi, as presidenti Vuçiq nuk u mbajt përgjegjës. Dhe çfarë pamë pastaj: Dy javë më vonë, më 14 qershor, tre policë të Kosovës ishin kidnapuar, në vështrimin tim, ishin kidnapuar. Edhe nga qëndrimi amerikan thuhej se ata ishin marrë nga Kosova. Pra, e vëreni lidhjen që po bëj. Kur kemi një qëndrim në të cilin e mbajmë vetëm Prishtinën përgjegjëse dhe nuk e mbajmë Beogradin përgjegjës, ne e inkurajojmë presidentin Vuçiq që t’i bëjë këta hapa duke i thënë të njëjtat gjëra pastaj në Bruksel. Në shtator vetëm Kurti fajësohej në Bruksel. Asgjë nuk flitej për Serbinë. Dhe pse jo pastaj pas 10 ditësh të kemi këto sulmesh që pamë. Askush nuk duhet befasuar. Por dua ta bëj këtë të qartë, më 29 maj vetëm Kurti ishte kritikuar, 2 javë më vonë kidnapohen policët e Kosovës. Në vështrimin tim, këtu ka lidhje dhe ky qëndrim i ndërkombëtarëve duhet të ndryshojë dhe duhet të ndryshojë tash, pas ngjarjeve të 24 shtatorit”, ka thënë Joseph.