Amir Elezi në “Top Tema”: Kursi euroatlantik i shtetit u devalvua me agjendën për shpëtimin e karrierës së Artan Grubit
Nënkryetari i Alternativës, Amir Elezi në emisionin “Top Tema” tha se përplasjet brenda BDI-së po marrin hov dhe se ka probleme shumë serioze brenda kësaj partie. Sipas tij, nëse iniciohet interpelancë për zv/kryeministrin e parë, partia e tyre do të vendos se si do të veprojnë. Megjithatë, sipas tij, tani më duke se është vonë për t’i bërë interpelancë vetëm Grubit.
“Besoj se është momenti i fundit e tërë qeveria të vendoset në një lloj votëbesimi. Është e dukshme se kursi eurtoatlanik i shtetit është devalvuar skajshmërisht me atë që një agjendë për krijimin e një shumice të re, faktikisht u shndërrua në agjendë për shpëtimin e karrierës së Artan Grubit”, ka deklaruar Elezi.
Kjo sipas tij, është shumë nënçmuese dhe degraduese për shoqërinë në tërësi.
“Në këtë provim u rrëzua shumica e re. Ju kujtohet se me hyrjen e Aleancës deklaronin se do të krijojnë shumicë më stabile, por numrat mbetën të njëjta. Të ishim të koncentruar si shtet, posaçërisht qeveria, në sigurimin e 80-të deputetëve për hapjen e kushtetutës, besojë se deri tani do të ishim të gatshëm dhe do t’i siguronim 80 deputetë për ndryshimet kushtetuese. Por, ata duket se kishin agjenda tjera”, deklaroi nënkryetari i Alternativës, Amir Elezi.