Amerikani vrau një serb që ka jetuar edhe në Kosovë dhe Maqedoni
Vrasja e serbit Strahinja Dackovic në Kamboxhia ende nuk është zbardhur, kurse mediat në këtë shtet aziatik raportojnë informacione të pa verifikuara, që flasin se vrasja është kryer nga një amerikan. Daçkoviq, i cili është me origjinë nga qyteti Brus në Serbi, dyshohet se ka qenë me një shtetas amerikan në mbrëmjen kur është vrarë, transmeton “Politika” serbe.
Familja e Daçkoviqit në Brus, siç mëson Politika, nuk ka informacion për arsyet e vrasjes së Strahinjës. Dyshohet se i vrari të ketë jetuar në Kamboxhia me një emër tjetër.
Strahinja Dackovic ka kohë që nuk jeton në vendlindjen e tij. Fillimisht është zhvendosur në Kosovë, më pas në Maqedoni, e prej Maqedonie në Gjermani. Nga ai vend është shpërngul në Turqi dhe më pas ka arritur në Tajlandë, ku është martuar, transmeton Lideri.mk. Nga atje ai u transferua në Kamboxhia, ku zhvilloi një biznes dhe dyshohet se menaxhonte një bar, shkruajnë mediat.
Vrasja e tij ka ndodhur të shtunën, para një hoteli në kryeqytetin e Kamboxhias, kur Strahinja Daçkoviq është goditur nga tre të shtëna.