Kosovë

Amerikanët dhe britanikët i kanë premtuar Kosovës raketa të fuqishme, alarmohen mediat serbe

Mediat serbe kanë ngritur alarmin. Sipas tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim të fshehtë me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, në Prishtinë, në kuadër të përpjekjes së tij për të fituar mbështetje drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas medieve të afërta me Vuçiqin, ndër kërkesat Albin Kurti, ka qenë edhe përfshirja e raketave me rreze veprimi deri në 10 kilometra, në pakon e fundit të ndihmës ushtarake amerikane e prezantuar fillimisht nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkruan sd.rs

Ndërkaq, diplomatët perëndimorë i kanë garantuar Kurtit që këto çështje do t’i shtrojnë tek organet ushtarake dhe politike në Washington dhe në Londër.

“Përfaqësuesi i Amerikës theksoi se kërkesa e Kosovës që ndër të tjera të përfshijë sistemin e mbrojtjes për bazat e reja në veri të Kosovës, në ndihmat ushtarake të destinuara për to do të pranohet dhe se SHBA-të do t’i furnizojë me tre sisteme të tilla”.

Kreu i qeverisë i ka informuar ata se Agjencia e Inteligjencës ka spikatur aktivitet të madh të forcave serbe “rreth bazave të sapoformuara të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës”, duke shtuar se shërbimet inteligjente të Kosovës “vlerësojnë se ky është urdhër i forcave të sigurisë serbe, me qëllim që personat e përmendur të sigurojnë koordinatat e sakta të bazave, në mënyrë që në rast konflikti të bëhen cak i artilerisë serbe”.

Kërkesë tjetër, gjithnjë sipas mediumit serb, ishte edhe paisja me koordinatat e pikave ku potencialisht janë të vendosur njësitë serbe.

“Në fund, Kurti kërkoi nga diplomatët e QUINT-it që forcat ndërkombëtare dhe strukturat e tyre të inteligjencës t’u dorëzojnë institucioneve në Prishtinë koordinatat e vendeve ku janë stacionuar forcat ushtarake dhe policore të Serbisë”, shkruajnë mediat serbe.