Ambasadorja e Ukrainës: Falënderoj autoritetet dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen
Ambasadorja e Ukrainës në Shkup, Natalija Zadorozhnjuk ka falënderuar autoritetet dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen ndaj Ukrainës pas agresionit rus.
Ambasadorja Zadorozhnjuk tha se sulmet ruse po vazhdojnë , ndërkaq falënderoi Qeverinë për vendimin për të mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
“Situata në Ukrainë është tejet e tensionuar. Po kryhet ofanzivë e përmasave të mëdha nga forcat e armatosura ruse nga të gjitha anët. Forcat ukrainase po i japin përgjigje agresorit. Në këtë kohë të vështirë për vendin tonë do të doja të falënderoj për mbështetjen e qartë dhe të vendosur për Ukrainën të presidentit të shtetit, kryetarit të Qeverisë, kryetarin e Kuvendit, Ministrinë e Punëve të Jashtme. E vlerësojmë përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në sanksionet BE-së kundër Rusisë. Falënderoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Natalija Zadorozhnjuk, ambasadore e Ukrainës në Shkup.
Ambasadorja Zadorozhnjuk bëri thirrje që qytetarët dhe komuniteti i biznesit në RMV të ndihmojnë Ukrainën.
“Tani në Ukrainë hapet punë aktive për mbledhje të ndihmave për Ukrainën. I bëj thirrje qytetarëve të Maqedonisë, biznesit në Maqedoni, që t’i japin ndihmë maksimale Ukrainës në këtë kohë. Të jemi të bashkuar në këtë kohë të vështirë për Ukrainën dhe Evropën”, tha Natalija Zadorozhnjuk, ambasadore e Ukrainës në Shkup.