Ambasadorja e SHBA-së, Aggeler: Ekipi ynë ligjor po shqyrton ndryshimet në Kodin Penal
Ekipi ligjor i Ambasadës Amerikane po shqyrton ndryshimet në Kodin Penal. Kështu njoftoi sot Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Aggeler, e cila shtoi se nuk i ka parë personalisht këto ndryshime, prandaj edhe nuk dha komente konkrete, përcjell KlanM. Megjithatë, siç theksoi Aggeler, është e nevojshme të ndiqen procedurat ligjore të vendit.
Shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit tha më parë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase se korrupsioni ka potencial të minojë ambiciet strategjike të Maqedonisë së Veriut, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ndryshimet e reja në Kodin Penal, të cilat ulin dënimet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “bashkim kriminal” do të komplikojnë përpjekjet e SHBA për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në vend.
“Ne inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që të përmbushë premtimet e saj për të luftuar korrupsionin. Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojnë rezultate të forta, të prekshme, kundër korrupsionit duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke parandaluar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, e cila është thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në qeveri”, thanë nga DASH./KlanMacedonia