Ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë Florian Qehaja realizoi takim pune me Rektorin e Universitetit të Tetovës
Më 27 shkurt 2023, në Universitetin e Tetovës qëndroi për vizitë Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, shkëlqesia e tij Florian Qehaja, i shoqëruar nga diplomati Prindon Sadriu. Ata u pritën në takim nga drejtuesit e Universitetit tonë, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Shefik Shehu dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Krijimi i mundësive të reja të bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti me universitetet publike dhe ato private ishte një nga temat që u diskutua në këtë takim. Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e njoftoi ambasadorin Qehaja se në takimet që ka pasur me rektorë të universiteteve nga Republika e Kosovës ka kërkuar nga ata që, përveç bashkëpunimit në projekte të ndryshme me karakter arsimor – shkencor është e nevojshme që të realizohet një projekt i përbashkët për mobilitet brenda universiteteve shqiptare. Sipas tij, jetësimi i këtij projekti do t’u ndihmonte universiteteve tona jo vetëm në rrafsh kombëtar por edhe atë ndërkombëtar.
Ambasadori i Republikës së Kosovës, shkëlqesia e tij Florian Qehaja tha se roli i Universitetit të Tetovës është historik dhe këtë të gjithë e dinë, sepse sot pas 28 vitesh kur e sheh gjithë këtë zhvillim e kupton se çfarë relevance ka pasur dhe vazhdon të ketë ky universitet për shqiptarët. Ai, po ashtu shfaqi interesim edhe për bashkëpunimet që Universiteti i Tetovës ka me universitetet nga Republika e Kosovës, qofshin ata publikë ose privatë, mundësitë se si mund të përforcohen këto dhe të krijohen bashkëpunime të reja. Ai, gjithashtu u informua edhe për studentët e Kosovës të cilët studiojnë në Universitetin tonë dhe mundësitë që mund t’u ofrohen atyre me qëllim që mos përballen me vështirësi administrative.
Në përmbyllje të këtij takimi, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Ambasadorit Florian Qehaja i dhuroi portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe Monografinë e Universitetit të Tetovës (1994-2004).