Maqedoni

Ambasada e SHBA-ve komenton zhvillimet në Këshillin Gjyqësor

Pas shkarkimit të kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Damevës, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ALSAT theksuan edhe një herë nevojën për gjyqësor të pavarur. Sipas zyrës së SHBA-së në Shkup, pa marrë parasysh kush do ta zërë vendin e Damevës, ka shumë punë për t’u bërë në drejtim të ndërtimit të besimit të qytetarëve.

“Ambasada e SHBA-së shpreson të sheh gjyqësor të pavarur dhe përgjegjës, pavarësisht kush janë krerët e tyre. Kjo është thelbësore për ndërtimin e besimit në institucionet e gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.

“Shuplakat” e Agelerit jo gjithmonë kanë kthjellur krerët e Gjyqësorit në vend. Madje, në vend që të shkarkohej gjykatësi i Apelit Enver Bexheti, i cili në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përmendet në raportin e Departamentit Amerikan, por edhe në letrën qortuese të ambasadores amerikane drejtuar gjyqësorit, pikërisht për zvarritjen e proceseve nga Gjykata e Apelit, u shkarkua Vesna Dameva, e cila siç mësoi ALSAT jozyrtarisht, më herët kishte kërkuar shkarkimin e Bexhetit. Enver Bexheti jo vetëm që nuk u shkarkua por, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi, dy seancat e fundit të këtij institucioni pamundëson që të flitet për masat e mundshme kundër Bexhetit, fillimisht duke e marrë drejtimin e seancës në mënyrë joligjore për të shkarkuar Damevën ndërsa dje, për shkak të mungesës së 1 anëtareje.

Më herët, ambasadorja amerikane Ageler kishte thënë se nuk është e sigurt në qoftë se edhe vettingu në gjyqësor do të ndihmonte, pasi siç potencoi ajo, në një vend ku ka korrupsion, ky proces vështirë bëhet në formë të drejtë dhe transparente.

“Korrupsioni është kancer, dhe është shumë i përhapur këtu…Viktimat e korrupsionit janë njerëzit e këtij vendi. Ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur në ambasadë dhe në Uashington që të ndihmojmë qytetarët e këtij vendi ta sulmojnë atë kancer”, deklaroi Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut.

Aggeler siç mësoi Alsat kishte drejtuar një letër institucioneve gjyqësore dhe disa anëtarëve të ekzekutivit. Në letër, theksohej shqetësimi i saj për gjyqësorin e vendit, duke thënë se SHBA-të kanë shpenzuar mbi 560 milion dollarë për të ndihmuar vendin në këtë fushë, ndërsa rezultate nuk ka. /Alsat.mk