Alternativa takoi strukturat partiake në Kërçovë, Manastir dhe Resnjë
Kryesia e lartë e Alternativës vazhdoi
takimet në zonën e 5-të zgjedhore, me vizitën e djeshme në Kerçovë. Aty qëndruan nënkryetari i Alternativës, Dr. Arben Labenishti, Sekretari i Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi, Sekretari Organizativ, Bashkim Murtezi, Ministri i Diasporës Xhemail Çupi, si dhe drejtori i Inspektoratit të Vetëqeverisjes Lokale, Afrim Qoku.
Në takim, në cilësi të nikoqirit, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. dr. Lulzim Aliu, dhe kryetari i degës Fluturim Ibraimi.
“Krerët e Alternativës folën për realizimin e programit të Alternativës në Qeveri, ndërsa dëgjuan edhe problemet, shqetësimet dhe kërkesat që i ka Dega e Kërçovës kundrejt zyrtarëve partiakë.
U fol për përfundimin e Spitalit të Kërçovës, si nevojë disavjeçare e kërçovarëve, por edhe për nevoja të tjera të banorëve të kësaj zone. Gjithashtu u diskutua për përforcimin dhe zgjerimin e strukturave të Alternativës në Kërçovë”, njoftuan nga Alternativa.
Në vazhdën e takimeve me strukturat partiake në zonën e 5-të zgjedhore, kryesia e lartë e Alternativës vizitoi edhe degët e Manastirit dhe Resnjës.
“Në këtë vizitë ishin të pranishëm nënkryetari i zonës së pestë, Dr. Arben Labënishti , Sekretari i Përgjithshëm, Zeqirija Ibrahimi , Sekretari Organizativ, Bashkim Murtezi , Ministri i Diasporës Xhemail Çupi, Zv/Ministri i Arsimit Lulzim Aliu si dhe drejtorët e kësaj zone, Afrim Qoku, dhe Mazllam Osmani.
Në këtë takim kolegial, të përzemërt dhe miqësor u bisedua për aktivitetet që janë zhvilluar në zonën e Manastirit dhe Resnjës, si dhe për mundësitë e shtrirjes së politikave të Alternativës edhe në këtë zonë”, njoftuan nga sherbimi partiak për informim.
Pas diskutimit për punën e Alternativës në Qeveri dhe progresin në realizimin e programit të saj gjatë këtij viti, u zhvillua edhe një bashkëbisedim i frytshëm për avancimin dhe zhvillimin e këtyre dy degëve.