Maqedoni

AlternAtivA: Nuk mund të ketë grupe pune për ndryshime kushtetuese pa pasur konsensus politik

Pas ftesës së Ministrisë së Drejtësisë për pjesëmarrje në një grup pune për hartimin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe pas interesimit të opinionit për qëndrimin e Alternativës përkitazi me këtë ftesë, po sqarojmë se AlternAtivA nuk do të marrë pjesë në një grup të tillë pune.
Arsyeja e këtij vendimi është se për ne nuk mund të ketë grupe pune për t’i hartuar ose përgatitur ndryshimet kushtetuese derisa nuk kemi konsensus politik ndërmjet partive politike për t’i mbështetur këto ndryshime, përmes të cilave duhet të hapet rruga e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Përveç kësaj, Alternativa nuk mund të ulet në një tavolinë dhe të flasë në këtë temë me parti që ende nuk janë deklaruar për propozim-amendamentin e saj kushtetues për luftën kundër korrupsionit. Derisa nëpër gjykata çdo ditë raportohen lëndë të korrupsionit që dështojnë për shkak të vjetrimit të tyre, ndërsa qeveria dhe partitë e tjera heshtin ndaj propozimit tonë për ta sanksionuar me kushtetutë mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik, ne nuk kemi asnjë detyrim që t’u përgjigjemi ftesave për të bërë fotografi dhe për të aktruar se gjoja jemi për ndryshime kushtetuese.
Nëse dikush dëshiron ta shohë Alternativën pjesë të këtyre debateve, së pari duhet të ofrojë mundësi reale për konsensus politik dhe, së dyti, në rend dite të jetë propozim-amendamenti kushtetues i Alternativës për luftë kundër korrupsionit politik.
Këtu po kujtojmë se për Alternativën ndryshimet kushtetuese nuk kanë kuptim nëse Maqedonia e Veriut, me mjete rrethanore, vazhdon ta sponsorizojë korrupsionin politik.