AlternAtivA: Korrupsioni nuk e ka emrin vetëm “Soravia” dhe “Eurovia”, por BDI-ja
Alternativa ka reaguar pas lajmit se Ministria e Punëve të Jashtme me në krye ministrin e BDI-së Bujar Osmani i kanë dhënë tender në vlerë prej 1.8 milionë euro, firmës “Eurovia” që është një nga donatorët më të mëdhenj të kësaj partie. Nga Alternativa thonë se logjika e thotë se shumat që i lëshon Bujar Osmani me dorën e majtë, i mbledhin bashkë me Ali Ahmetin me dorën e djathtë.
“Për neve kjo nuk është as befasi dhe as risi, por për opinionin, i cili mund të ketë besuar në narracionin e bukur të integrimit, tashmë është e qartë se agjenda e kësaj partie nuk është as integrimi, as BE-ja, por vetëm valuta e Bashkimit Europian. Sidoqoftë, derisa çdo ditë dalin skandale të korrupsionit në të cilin është zhytur kjo parti, gjithnjë e më shumë legjitimohet bindja se BDI-ja është në perëndim e sipër dhe se po e mbledh haraçin e fundit, për të përfunduar në opozitë, ndërsa shumë eksponentë të saj edhe parapa grilave” thuhet në komunikatën e Alternativës.
AlternAtivA edhe një herë deklaron se “korrupsioni më i madh nuk e ka emrin as SORAVIA, as EUROVIA, por vetëm dhe vetëm BDI-ja dhe se pa u çrrënjosur kjo merimangë e thurur ndër vite, Maqedonia e Veriut nuk mund të bëjë asnjë hap drejt BE-së, ndërsa shqiptarët në këtë shtet mbeten peng të politikanëve të kësaj partie, që mbahen nëpër sirtarë me lëndë të trasha të korrupsionit politik”