Maqedoni

AlternAtivA: Korrupsioni në Maqedoni të Veriut është kronik

Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut nuk është një aksidencë, por një rregull, dukuri kronike, nga e cila përfitojnë politikanë të pushtetit. Kështu thuhet në komunikatën e Alternativës pas deklaratës së ambasadores amerikane Angela Ageler se në Maqedoni ka epidemi të korrupsionit, vlerëson AlterNativa.

Ata thonë se derisa në listën e zezë amerikane shtohen emrat funksionarëve aktualë ose të ish funksionarëve, ndërsa Ambasada Amerikane në Shkup pohon se kjo listë do të plotësohet “të vetmit që nuk duan ta kuptojnë këtë janë pushtetarët e sotëm që vazhdojnë të sillen sikur këto këmbana bien për alienët e jo për vetë ata”

“Në të vërtetë, shkallën e lartë të korrupsionit e kanë konstatuar edhe organizatat ndërkombëtare që merren me luftën kundër korrupsionit, në të cilat Maqedonia e Veriut del gjithnjë në krye të vendeve me korrupsion të lartë, dhe kjo dukuri tashmë ka marrë përmasa shqetësuese dhe shumë serioze.

Kjo ka qenë arsyeja që AlternAtivA qysh vjet ka propozuar, madje duke qenë pjesë e qeverisë, që gjatë ndryshimeve të ardhshme kushtetuese të miratohet edhe një plotësim me të cilin lëndët e korrupsionit politik nuk do të vjetrohen kurrë. Në vend të kësaj, kjo shumicë, le që nuk pati vesh për këtë propozim, por madje bëri ndryshimin e Kodit Penal, duke i ulur dënimet e korrupsionit”, thuhet në reagimin e Alternativës.

Ata shtojnë se mënyra e vetme për të patur luftë të vërtetë kundër korrupsionit është largimi i kësaj qeverie nga pushteti.