Kolumna

Alternativa duhet të hyjë në qeveri – vetëm ashtu mund të luftohet BDI

Shkruan: Amir Idrizi

Ditëve kur po zhvillohet debati në opinion për mundësinë e përfshirjes së Alternativës në qeveri, po krijohet një amulli dhe opinioni (veçmas në rrjetet sociale) është dezorientuar keq. Prandaj po i jap këtu disa argumente se pse duhet të futet Alternativa në qeveri.
– Si e para duhet të thuhet me zë të lartë se Alternativa e dha provimin, duke u rreshtuar me deputetët që e dhanë nënshkrimin dhe ishin në Kuvend për ta rrezuar qeverinë LSDM-BDI. Prandaj bie argumenti se ajo ka dashur të shpëtojë BDI-në. Atë e shpëtoi nënkryetari dhe deputeti i Lëvizjes Besa. Por, pasi që ky mosbesim dështoi, gjendja është “zgjedhje ose qeveri e re”.
– Nëse Alternativa nuk futet në qeveri, vendi shkon menjëherë në zgjedhje dhe, sipas rezultateve aktuale të votave, VMRO-DPMNE i fiton 55 deputetë, ndërsa BDI rreth 20 deputetë, duke krijuar një qeveri me rreth 70 deputetë. Kështu i ndihmohet më së shumti BDI-së. Andaj, kush e gjykon sot Alternativën se nëse hyn në qeveri i ndihmon BDI-së, në fakt e dëshiron një qeveri VMRO-BDI.
– Nëse Alternativa futet në Qeveri, kjo ia merr një pjesë të pushtetit BDI-së. Por, Alternativa një pjesë të pushtetit duhet t’ia japë edhe ASH-së, veçmas në pjesën e punësimeve, dhe t’i ndihmojë komunat e ASH-së për të funksionuar .
– BDI-ja mund të rrëzohet vetëm nëse ia merr një pjesë të kulaçit të pushtetit. Assesi ndryshe. Nëse ajo i ka humbur pesë komuna dhe nëse në pushtet lokal në Shkup është koalicioni AAA-ASH, i bie se me ia marrë Alternativa edhe një pjesë të pushtetit qendror, BDI seriozisht mund të dobësohet dhe në zgjedhjet e ardhshme të humbë.
– Partive opozitare shqiptare nuk u konvenojnë zgjedhjet e parakohshme dhe këtë shërbim mund t’ua bëjë vetëm Alternativa nëse hyn në qeveri.
– Vetë Alternativa, që nuk ka fituar asnjë komunë, e ka patjetër të futet në qeveri që të mund t’i mbajë strukturat e saj partiake.
– Sa më shumë që Alternativa do të mbajë gjallë qeverinë, kjo u jep mundësi partive opozitare shqiptare, por edhe vetë asaj, që të forcohen që në zgjedhjet e ardhshme ta sfidojnë BDI-në.
– Meqë Alternativa do të jetë çelësi i funksionimit të qeverisë, ajo do ta mbajë në siklet edhe BDI-në edhe LSDM-në dhe kjo mund të përkthehet me sukses të pushtetit të saj dhe në favor të opozitës shqiptare. Alternativa duhet të jetë misionare e opozitës shqiptare në pushtet.
– Duke e pasur këtë rol vendimtar në qeveri, Alternativa tash e ka rastin që të kërkojë hetim ndërkombëtar për rastet e montuara politike, si rasti “Monstra” etj.
– Alternativa në pushtet duhet të bëjë betejë të brendshme kundër BDI-së, që edhe ta ruajë dallimin, por edhe t’u ofrojë shërbime e të mira shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Siç e dëshmoi kur ajo e udhëhiqte Ministrinë e Kulturës. Atëherë kur nuk mbeti artist shqiptar pa u shpërblyer. Atëbotë për dy vjet rreth 15 milionë euro i kanë marrë artistët dhe organizatat kulturore shqiptare.
– Në kohën kur shfaqet kriza ekonomike, mungesa e qeverisë veç ua rrit varfërinë qytetarëve. Prandaj, Alternativa nuk duhet ta ndihmojë varfërinë e tyre.

Prandaj, para se të gjykoni me emocione, bëni pak analizë!
Çështja nuk është bardh e zi.
Alternativa duhet të hyjë në qeveri, sepse vetëm ashtu mund të fitohet BDI-ja.
BDI-ja bie duke ia grimcuar pushtetin nën këmbë.