Maqedoni

Aliti: Vazhdojmë t’i implementojmë më me intenzitet proceset reformuese

,,Vazhdojmë t’i implementojmë më me intenzitet proceset reformuese”, theksoi ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Admirim Aliti, gjatë pjesëmarrjes së tij në ‘online’ panelin e diskutimit në suaza të konferencës ministrore të SIGMA-së, me titull: ,,Administrata e mirë publike për jetesë më të mirë në Ballkanin Perëndimor”.

Aliti, theksoi se Raporti i monitorimit të SIGMA-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, vjen në kohën e duhur dhe pikërisht për këtë duhet të punojmë me përkushtim në reformat, në mënyrë që të harmonizohen me standardet e BE-së.

,,Profesionalizimi dhe modernizimi i administratës publike është vazhdimisht aktual dhe shihet si baza e tërë sektorit publik nga i cili varen proceset dhe zhvillimi i çdo shoqërie demokratike. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e Reformave të Administratës Publike, që sipas Metodologjisë së re për negociatat e anëtarësimit, për herë të parë është definuar në mënyrë konkrete si një sferë e mbuluar nga procesi dhe është pjesë e parë e Klasterit-Themele, e cila është thelbësore për dinamikën e negociatave në tërësi”, theksoi ministri Aliti.

Ministri vuri në pah angazhimin e plotë për intensifikimin e aktiviteteve me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor për administrimin dhe profesionalizimin e strukturave të larta udhëheqëse, përkatësisht vendosjen e vlerave dhe meritokracisë, si dhe linjat e qarta të përgjegjësisë dhe eliminimin e bashkimit të kompetencave.

Sipas ministrit Aliti, në kontinuitet po punohet edhe në përforcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, jo vetëm në MSHIA si institucion udhëheqës në procesin e RAP-it, por edhe në institucionet e tjera kyçe, si dhe në modernizimin dhe në avancimin e sistemit HRMIS (Sistemi i Informacionit të Udhëheqjes me Burimet Njerëzore), për të rritur kualitetin e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, duke e përmirësuar efikasitetin e punës, si dhe duke e rritur transparencën.

Më tej, ministri potencoi se po punohet në analizën e detajuar të rekomandimeve nga Raporti i SIGMA-së, të cilat do të merren parasysh gjatë aktiviteteve reformuese në vijim.

,,Fokusi ynë është që vazhdimisht të punojmë për një Administratë Digjitale Efikase, të bazuar në digjitalizim, e cila siguron shërbime të shpejta dhe kualitative për qytetarët dhe për bizneset. Në këtë kontekst, Qeveria e vërteton përkushtimin e fuqishëm politik të proceseve të Reformave të Administratës Publike nëpërmjet implementimit të vazhdueshëm dhe monitorimit të masave dhe aktiviteteve të parashikuara në Strategjinë e RAP-it 2018 – 2022 dhe të Planit Aksional. Gjithashtu, në periudhën në vijim MSHIA-ja, do të fillojë me hartimin e Strategjisë së Re të RAP-it me Planin Aksional (2023-2027), me mbështetjen e SIGMA-së”, potencoi ministri Aliti.