July 5, 2024
Kolumna

Albin Kurti, prijetar i kombit shqiptar

Zejnepe Alili Rexhepi

Mos u dorëzo, përpara hienave që kokën e kanë në Beograd e zemrën në Stamboll, e veç këmbët mbetur u kanë në tokë të Shqiptarisë!
Albin Kurti, mos u dorëzo, se me vete i ke të gjithë ata që fenë e kanë Atdhe, e Atdheun – Tokë e shenjtë e një gjaku dhe e një gjuhe, që e njohin edhe Perënditë!
Mos u dorëzo, kur politika kryesuese e Shqipërisë ta kthen shpinën e të vendos mure, vetëm se je zotuar se do ta luftosh krimin, ndërkaq popullit do t’ia kthesh dinjitetin. As mos u dëshpëro, se jemi shumicë që e kemi të vështirë ta kuptojmë këtë nostalgji të Edi Ramës për Beogradin dhe dashurinë vëllazërore për sllavët.
Të njëjtën politikë ndjellakeqe Ai e modelon edhe në Maqedoninë e Veriut, ku krerët e politikës shqiptare shtyhen vëlla me vëlla, se kush më parë do të ulet në prehrin e krerëve të politikës sllave, që jo më larg se dje derdhën gjak shqiptarësh.
Albin Kurti, a e di sa do të lumturoheshim ne shqiptarët, nëse Edi Rama, si vëlla i madh do ta hidhte krahun mbështetës e do të vinte që ta përshkonit cep më cep Kosovën, për t’ua rikthyer kështu shpresën shqiptarëve se ky vend do të bëhet, do të bëhet, ashtu siç e ëndërrojmë; për të dhënë siguri se kapitali vendor mund të jetë edhe i vetëmjaftueshëm, nëse ndalet keqpërdorimi; për t’i motivuar të gjithë ata shqiptarë që kapitalin e vet ta investojnë në trojet shqiptare, qoftë edhe për një vizitë fundjavëshe!
Albin Kurti, a e di sa do të mrekulloheshim ne shqiptarët, nëse Edi Rama, si vëllai i madh, do të të ftonte ndër të parët, si vëllain e vogël – kryeministër, sepse duke e pranuar hierarkinë e Kosovës, do të dëshmonte para botës se “bashkimi bën fuqinë”. Në këtë mënyrë, do të nxiste dëshirën e çdo shqiptari për të lëvizuar i lirë drejt Shqipërisë, që për shumicën ishte “toka e ndaluar”, e mohuar me dekada të tëra gjatë rregjimit komunist, e më vonë për shkak të izolimit nga sllavët dhe luftërat gjenocidiale të tyre.
Albin Kurti, mos u trishto, pse Edi Rama nuk të mban afër si vëlla i vogël, sepse Ti ke dinjitet, e dinjitetin nuk ta dha posti i kryeminstrit, por dija, zgjuarsia, atdhetarizmi…, e të gjitha këto janë virtyte dhe jo epitete që i merr kur ngrihesh në detyrë! E po të të mbante pranë, do ta dëshmonte se “gjaku ujë nuk bëhet”, dhe ideja “Open Ballkan” me synimin për Lëvizje të lirë, njëherë do të bëhej me lëvizjen dhe njohjen e shqiptarëve nëpër të gjitha trojet shqiptare, që na janë mohur me dekada e shekuj. Kështu, do të dëshmonit përpara botës, se atë tokë që dhunshëm e copëzoi Evropa, për hatër të sllavëve e grekëve, sot, mund ta bashkojnë natyrshëm Edi Rama dhe Albin Kurti.
Albin Kurti, mos u dorëzo, pse Edi Rama, dhe plot politikanë antikombëtarë, ekzaltohen kur ju tunden flatrat, teksa ngrihen drejt qiellit (interesave vetanakë), por duhet të trishtohemi të gjithë se ku do t’ju zënë këmbët kur të bien?! Mjafton vetëm ta rikujtojmë se historia shqiptare nuk i qas të paanshmit, por këdo “e shpërblen” sipas meritave:
1.Heronjtë, me kurora lulesh e përmendore të lavdisë;
2.Tradhëtarët, me plumb në lule të ballit.
Pra, historia shqiptare nuk fal!
Historia jonë kombëtare i rikujton me krenari heronjtë e vet: Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin, Avni Rrustemin, Hasan Prishtinën, Hamzë e Adem Jasharin…, ashtu siç e dënoi edhe Ballabanin, Esatin e Enverin, e të gjithë këlyshët titistë e enveristë, të cilëve nuk u dha as vend për varr!

Atëherë, ju hiena të kombit, zgjidhni e merrni!
Doni kurorën e lavdisë apo plumbin e tradhëtisë?! Se ku do të rreshtoheni, zgjidhni vetë!
Pastaj, fjalën e fundit e ka populli, sovrani, që pasi e shfrytëzoni, e përbuzni pa pikë turpi, duke e etiketuar “turmë pa mend”, “turmë delesh”…
Zgjidhni e merrni, se Historia u pret, sa nuk është bërë tepër vonë!
Albin Kurti, mos u dorëzo, se hienat e kombit, kur nuk kanë më se kë të kafshojnë, me gjasë, kthehen dhe ia hanë kokën njëri – tjetrit!