Kosovë

Albin Kurti përkujtoi rënien e dëshmorit Ilaz Kodra

Në 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë, të Komunës së Skenderajt.

Duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Kryeministri Kurti tha se komandanti Ilaz Kodra ra në betejë të ashpër me forcat serbe.

“Sot kujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh Kryeministri.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit si dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.​

/GazetaSinjali/