Albin Kurti: Ja pse kam besim tek Arben Taravari
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur qartë qëndrimin e tij për zgjedhjet në presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Ai thotë se Republika e Kosovës, por edhe rajoni ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë.
Ai ka përshëndetur edhe kandidatin e opozitës shqiptare Arben Taravarin, të cilit thotë se i beson si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri.
“Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Përendimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë.
Unë uroj që Presidenti dhe Qeveria e ardhshme të jenë pro-evropiane, demokratike, progresiste. Të tillë që ta mbështesin fuqishëm ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës me tunel nën Malet e Sharrit e që i lidh Prizrenin me Tetovën, duke e përgjysmuar kohën e udhëtrimit. Uroj që Presidenti dhe Qeveria e ardhshme të dalin nga i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur” që lindi në Novi Sad. Nisma “Ballkani i Hapur” nuk është mjaftueshëm evropiane. Ballkani evropian që e duam e na duhet është mjaftueshëm i hapur. Dhe, uroj që në politikën e jashtme të fqinjësisë së mirë Presidenti dhe Qeveria e ardhshme në Shkup t’i vendosin më lart Tiranën e Prishtinën, bashkë me Sofjen e Athinën, sesa Beogradin
Të dashur bashkatdhetarë, sa më shpesh që mblidheni e diskutoni, sa më shumë që bashkoheni e angazhoheni, aq më mirë për juve dhe për neve. Le të punojmë bashkë për zhvillim, le të përpiqemi vazhdimisht për drejtësi, le të qëndrojmë gjithnjë për barazi, le të kontribuojmë pa u ndalur për përparim. Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e kryetarin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkuren e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi!”, ka shkruar Kurti ndër të tjera. (INA)