Maqedoni

Alarmante numri i lindjeve në moshë të mitur dhe jashtë martese, institucionet nuk ndërmarin asnjë hap!?

Numri i vajzave nga 15 deri në 19 vjeç që jetojnë në bashkësi martesore është pesë herë më i madh se sa numri i djemve në këtë moshë, përkatësisht në martesë jetojnë 1.355 adoleshente kundrejt 260 adoleshentëve. Njëkohësisht, 1,9 përqind nga numri i përgjithshëm i popullatës femërore në këtë grup moshë ka lindur një ose më shumë fëmijë, që është rënie e lehtë krahasuar me numrat e vitit 2018, shkruan Radio MOF.
Këto të dhëna janë pjesë e publikimit “Profil i popullatës së fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i cili i nxjerr të dhënat nga regjistrimi i fundit në vitin 2021, që është po ashtu edhe dokumenti i parë që i mbledhë të gjitha të dhënat në një vend për fëmijët nga vendi.

Komunat me përqindje më të lartë të adoleshentëve nga 15 deri në 19 vjeç të cilët janë të martuar, janë Strumica (104), Shuto Orizara (78), Prilepi (73), Radovish (54), Gostivar (53) dhe Tetova (48).

“Pavarësisht numrave absolut, nëse analizohet pjesa e adoleshentëve të martuar në kuadër të grup moshën së vajzave në moshën 15-19 vjeç, fitohet një pasqyrë ndryshe”, thuhet në publikimin e UNICEFI- it.