Maqedoni

Aktivisti nga Tetova i reagon ambasadorit austriak kundër kazinove: A e dini interesin e kujt po e mbroni?

Letër publike e aktivistit tetovar të shoqërisë civile Ngadhnjim Mehmeti ndaj ambasadorit austriak Georgi Vucas, lidhur me qëndrimin për kazinot. Në vazhdim letra e plotë:

A po e shantazhon Austria Maqedoninë për kazinot?!

Sa është djallëzore letra e ambasadorit austriak George Vutsas duke cituar kushtetutën për “tregun e lirë”? A kishte nevojë për letër publike kur deri më tani të gjitha kontaktet me politikanët vendimmarrës i bëjnë në katër sy dhe çdo gjë u ec si më mirë?

Presioni për mosmiratimin e ligjit vërtetë është për deputetët apo për qytetarët e këtij vendi të varfër? Kjo letër është tendencioze pasi me këtë ka qëllim t’i amnestojë, e madje t’i bëjë heronj deputetët që do e votojnë ligjin, duke aktruar sikur vërtet i rrezistuan presioneve të jashtme. Me këtë do të amortizohet edhe kërkesa legjitime, si në të gjitha vendet normale ku kazinot duhet të jenë së paku 3km larg shkollave e çerdheve, e jo afër 500 metra.

A jeni të vetëdijshëm z. Ambasador se cilat biznes-interese po i mbroni? A e dini se me këtë haptas dolët në anën e atyre që e shkatërrojnë këtë vend të varfër, shkatërrojnë familjet, krijojnë probleme të mëdha sociale. Ndotja me kazino në qytetet tona në çdo cep ku e kthen kokën është jashtë çdo norme për një vend të vogël e të varfër me këtë GDP si Maqedonia.

Kjo ndotje është shumë më toksike edhe se tymi që na e ndot ajrin, kjo na e ndot shpirtin, zemrën dhe mendjen. A jeni të vetëdijshëm se me këtë stimuloni krimin e organizuar, korrupsionin, nëntokën, mafian, të keqen? A e dini se bixhozi është sëmundje më e pashërueshme se sa varrshmëria nga drogëa e alkoholi dhe ka pasoja të pariparueshme sociale në çdo shoqëri?

Për cilën konkurencë lojale flisni, për cilat investime të huaja flisni, larg qofshin këto investime që na shkatërojnë qelizat e shoqërisë dhe familjeve tona. Shembulli juaj është tmerrues, pas kësaj nuk do jeni më të besueshëm ju dhe kolegët tuaj kur do na mbani ligjërata për korrupsionin, demokracinë, lirinë e shprehjes, mediat, etj. Bashkë me shumë afera ku korporata të huaja na i kanë korruptuar politikanët, kjo letër e juaja na e qartësoi se pse vendin tonë e ka kapluar kultura e pandëshkueshmërisë. Mjaft më!