BallinaMaqedoni

Aktakuzë ndaj 15 doganierëve dhe një polici

Pas procedurës hetimore të zhvilluar në rastin e koduar “Kalimi”, prokurori publik kompetent nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të Policisë së Burgjeve, sot ka dorëzuar aktakuzë ndaj 14 personave dhe propozim aktakuzë ndaj dy personave.

13 doganierë, njëri prej të cilëve është polic në pension, akuzohen si bashkëpunëtorë që kanë kryer veprën penale të vazhdueshme të pranimit të ryshfetit.

Një person akuzohet edhe për veprën penale të prodhimit, posedimit, ndërmjetësimit dhe tregtimit të paautorizuar të armëve dhe lëndëve plasëse ndërsa dy doganierët akuzohen se në cilësinë e bashkëkryerësve kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Prokurori ka dorëzuar propozimin për konfiskimin e pasurisë së fituar me veprën penale, ku gjatë kontrollit janë gjetur mbi 50 mijë euro, mbi 650 mijë denarë, franga zvicerane dhe dollarë amerikanë.

Njëkohësisht, bashkë me aktakuzën është paraqitur edhe propozimi për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave.

Procedura hetimore është hapur në tetor të vitit të kaluar kur dhe u zhvillua aksioni “Kalimi” për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit në njësitë doganore Novosellë dhe Dojran kanë kryer vepra penale me dashje.