Aksion policor në ShPN “Idrizovë”, arrestohen 17 persona, ndihmuan arratisje
Pas procedurës parahetimore prej disa muajve, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka realizuar një aksion policor në Burgun e Idrizovës, ku janë arrestuar 17 pjesëtarë të Policisë së Burgut. Procedurë hetimore do të zhvillohet kundër gjashtë personave, pesë prej të cilëve dyshohet se në muajin tetor të vitit të kaluar kanë kryer veprën penale “Mundësimin e arratisjes së një personi të privuar nga liria sipas nenit 372 paragrafi 2 i Kodit Penal, ndërsa një person dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës.
“Përderisa i dënuari ishte në trajtim mjekësor, sipas rregullores, është ruajtur nga policia e burgjeve të ShPN Idrizovë. Në ditën kritike, i shoqëruar nga dy policë të dyshuar të burgut, personi ka shkuar në hapësirën për pirjen e duhanit në afërsi të spitalit. Atje së bashku me shoqërimin kaluan rreth gjysmë ore, pas çka zyrtarët e dyshuar të burgut u larguan, duke lejuar të dënuarin të largohej nga dhoma dhe të arratisej me automjet. Të dyshuarit nuk kanë raportuar arratisjen tek eprorët në ShPN Idrizovë, nuk kanë raportuar as të dyshuarit nga ndërrimi i dytë, por janë ulur pa të dënuarin në dhomën e zbrazët në spital ku janë gjetur nga policët e Njësisë për intervenim të shpejtë pranë Sektorit për punë të brendshme.”, – thuhet në njoftimin Prokurorisë për ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Njëmbëdhjetë personat e tjerë ngarkohen për vepër penalë të vazhdueshme “Lirimi i paligjshëm i personit të privuar nga liria sipas nenit 373 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal. Për veprën penale “Mundësimin e arratisjes së personit të privuar nga liria”, parashikohen dënime me burg nga një deri në dhjetë vjet dhe për veprën “Lirim të paligjshëm të një personi të privuar nga liria” nga tre muaj deri në pesë vite. Për shkak të frikës për arratisje, për gjashtë të dyshuarit Prokuroria kërkon paraburgim, ndërsa për njëmbëdhjetë të tjerët, masa kujdesi.